Procesi për përzgjedhjen e jurisë për gjyqin penal ndaj ish-presidentit Donald Trump, për pagesat e bëra për të fituar heshtjen e dy grave që thonë se kanë patur marrëdhënie seksuale me të, hasi në vështirësi të mëtejshme të enjten.
Një anëtare e përzgjedhur për jurinë gjyqësore u tërhoq pasi ngriti dyshime nëse do të ishte në gjendje të vepronte me paanshmëri dhe drejtësi. I dyti u hoq pasi nuk u paraqit në gjykatë për të qartësuar disa nga përgjigjet e dhëna gjatë pyetjeve të drejtuara më herët.
Të martën kishin bërë betimin shtatë anëtarë të jurisë. Por, me heqjen tashmë të dy anëtarëve, ekipet ligjore të dy palëve duhet të përzgjedhin 13 persona të tjerë për jurinë, që do të japë vendimin për çështjen e parë penale ndaj një ish-presidenti amerikan.
Prokurorët i kërkuan të enjten gjykatësit Juan M. Merchan të marrë masa ndaj zotit Trump për shkak të shtatë postimeve të reja në mediat sociale, që prokurorët thonë se shkelin urdhrat e mëparshëm që i ndalonin atij të sulmonte dëshmitarët. Prokurorët kishin kërkuar të hënën që zoti Trump të gjendej fajtor për shpërfillje të urdhrit të gjykatës dhe të gjobitej për tre postime të tjera.
Një grup i dytë prej 96 kandidatësh për anëtarë jurie shkuan të enjten paradite në gjykatë ku rifilloi faza e marrjes në pyetje për përzgjedhjen e tyre.
Ish-presidenti Trump ka thënë se është i pafajshëm për 34 akuzat e ngritura për falsifikim të të dhënave të biznesit në përpjekje për të fshehur historitë që mund të dëmtonin fushatën e tij elektorale në vitin 2016.
Akuzat kanë të bëjnë me pagesat për dy gra, aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels dhe modelen e revistës “Playboy”, Karen McDougal, të cilat kanë thënë se kanë patur marrëdhënie seksuale me zotin Trump vite më parë. Akuzat kanë të bëjnë edhe me rastin e një roje tek hyrja e kullës Trump, i cili ka pretenduar se ka patur njohuri për një fëmijë që zoti Trump ka patur nga një lidhje jashtëmartesore. Ish-presidenti ka mohuar të ketë ndodhur ndonjë nga këto lidhje seksuale.
Kjo është çështja e parë penale ndaj zotit Trump që shkon në gjyq.
SI U TËRHOQ ANËTARJA E PARË E JURISË
Një anëtare e përzgjedhur e jurisë u tërhoq pasi i tha gjykatës se ndjehej e shqetësuar për aftësinë e saj që të tregohej e paanshme.
Megjithëse emrat e anëtarëve të jurisë nuk janë bërë publikë, gruaja me profesion infermiere tha se “pasi e kishte menduar gjatë natës, kishte patur shqetësime për aftësinë për t’u treguar e drejtë dhe e paanshme në këtë çështje gjyqësore”, tha gjykatësi Merchan përpara se ta thërriste në sallë për t’i drejtuar pyetje.
Ajo tha se anëtarët e familjes dhe miqtë kishin ngritur pikëpyetje rreth rolit të saj të ardhshëm si anëtare e jurisë.
Me largimin e dy anëtarëve të jurisë, numri i anëtarëve që mbeten zbret në pesë dhe ekipeve ligjore të dy palëve do t’u duhet tashmë të zgjedhin 13 persona të tjerë për të plotësuar jurinë.
Duke kritikuar mediat që publikuan detaje për anëtarët e jurisë, gjykatësi Merchan tha se: “Ka një arsye përse kjo është një juri anonime. I kundërvihet këtij qëllimi kur kaq shumë informacion bëhet publik, që mund ta bëjë shumë të lehtë për çdokënd që të identifikojë se kush janë anëtarët e jurisë”.
“Shtypi ka qartësisht të drejtën të shkruajë për çdo gjë që përfshihet në të dhënat zyrtare”, shtoi gjykatësi.
ÇFARË NDODHI ME ANËTARIN E DYTË TË LARGUAR NGA JURIA
Statusi i anëtarit të dytë të larguar nga juria të enjten u vu në dyshim pasi personi nuk ishte paraqitur në gjykatë për t’iu përgjigjur disa pyetjeve të mëtejshme. Prokurorët patën zbuluar një artikull të viteve 1990, për një person me të njëjtin emër që ishte arrestuar për grisje të reklamave politike në qarkun Westchester. Reklamat kishin qenë të krahut të djathtë të politikës, tha ndihmës prokurori Joshua Steinglass. Ai gjithashtu informoi se një i afërm i po këtij personi mund të ketë qenë pjesë e një marrëveshjeje për pushimin e një hetimi të prokurorisë së Manhatanit në vitin 1990, e cila është e njëjta zyrë hetimore për çështjen ndaj zotit Trump.
Gjykatësi Juan M. Merchan e pati udhëzuar personin të paraqitej në gjykatë në 9:15 të mëngjesit të së enjtes, për t’iu përgjigjur pyetjeve të mëtejshme rreth tij apo të afërmve të tij. Ai nuk u paraqit në gjykatë.
Gjykatësi përmendi “ngurrimin me sa duket për t’u paraqitur” dhe i pyeti palët nëse do të ishin dakord për heqjen e këtij personi nga juria, pa patur nevojë për pyetje të mëtejshme. Avokati i ish-presidentit Trump, Todd Blanche tha fillimisht se do të dëshironte të dëgjonte se çfarë përgjigjesh do të jepte anëtari i jurisë. Kur ishte pyetur më herët këtë javë, personi kishte thënë se nuk ishte dënuar ndonjëherë.
PROKURORËT KËRKOJNË MARRJEN E MASAVE NDAJ ISH-PRESIDENTIT TRUMP PËR POSTIMET E REJA NË MEDIAT SOCIALE
Prokurorët i thanë gjykatësit Merchan të enjten se dëshirojnë që ish-presidenti të gjendet fajtor dhe të ndëshkohet për shtatë postime të reja që ata thonë se shkelin urdhrat e dhënë më herët nga gjykata.
Postimet e reja të zotit Trump u bënë pasi prokurorët kishin kërkuar më herët të hënën vendosjen e një gjobe prej 3 mijë dollarësh për tre postime të tjera në rrjetin Truth Social.
Prokurori Christopher Conroy tha se disa nga postimet e reja kishin të bënin me një artikull ku përshkruhej ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, si “një mashtrues serial”. Në një tjetër postim të bërë të mërkurën përsëritet një pretendim i bërë fillimisht nga një drejtues emisioni në kanalin televiziv Fox News se aktivistët liberalë po gënjenin me qëllimin që të arrinin të bëheshin anëtarë të jurisë.
Avokati i zotit Trump, Emil Bove tha se zoti Cohen “e ka sulmuar presidentin Trump në deklarata publike” dhe se zoti Trump vetëm po i përgjigjej.
Gjykatësi Merchan ka caktuar një seancë për javën e ardhshme me kërkesë të prokurorisë për të shqyrtuar mundësinë e ndëshkimit për postimet e zotit Trump.
GJYKATËSI URDHËRON GAZETARËT TË MOS RAPORTOJNË SE CILËT JANË PUNËDHËNËSIT E ANËTARËVE TË JURISË
Gjykatësi Juan M. Merchan kritikoi mediat që patën raportuar detaje për anëtarët e jurisë, të cilat mund të përdoren për t’i identifikuar ata. Gjykatësi urdhëroi të mos raportohen përgjigjet e dhëna nga kandidatët për anëtarë të jurisë, në lidhje me punëdhënësit e tyre në të kaluarën, apo të tanishëm.
“Siç është provuar nga çfarë ka ndodhur deri më tani, ky është një problem”, tha gjykatësi të enjten.
Ai gjithashtu i udhëzoi gazetarët “t’i përmbahen logjikës” dhe të shmangin raportimin për karakteristikat fizike të anëtarëve të jurisë.
“Sapo humbëm dikë që mund të kishte qenë një anëtare shumë e mirë e jurisë”, vazhdoi gjykatësi. “Ajo tha se ndjehej e frikësuar nga shtypi, nga i gjithë shtypi”./VOA
Top Channel