Burkina Faso dëbon tre diplomatë francezë për ‘aktivitet subversiv’ (fotot)

18/04/2024 18:03

Franca dënonte sot lëvizjen duke thënë se ‘nuk ka arsye legjitime për dëbimin e diplomatëve.’

Burkina Faso ka akuzuar tre anëtarë të trupit diplomatik të Francës në vend për ‘aktivitet subversiv’ dhe ka urdhëruar largimin e tyre brenda 48 orëve, sipas një letre të ministrisë së jashtme të parë nga agjencia Reuters dhe Agence France-Presse (AFP).

Qeveria e Burkina Faso nuk dha detaje për akuzat ndaj diplomatëve të përjashtuar por dha emrat e tyre si Gwenaelle Habouzit, Herve Fournier e Guillaume Reisacher.

Agjencia Reuters citonte një burim ‘me njohuri të çështjes’ të thoshte se dëbimi kishte të bënte me një takim të tre diplomatëve me përfaqësues të shoqërisë civile në vend.

“Nuk ka arsye legjitime që autoritetet burkineze të bëjnë këtë, prandaj ne e përçmojmë aktin,” tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme frnaceze Christophe Lemoine.

Që prej ardhjes në pushtet me një grusht shteti në 2022, qeveria ushtarake e Burkina Faso është distancuar nga Franca që ka qenë ish-fuqia koloniale, duke larguar kontingjentet e saj ushtarake, mediat franceze, si dhe duke akuzuar zyrtarët e saj për spiunazh.

Teksa lidhjet me Francën përkeqësohen, Burkina Faso ashtu si dhe fqinjët Mali e Niger po afrohen me Rusinë për mbështetje ekonomike e sigurie.

Në fund të vitit të shkuar autoritetet vendase arrestuan kater zyrtarë francezë me pasaporta diplomatike në kryeqytetin Ouagadugu, dhe i akuzuan për spiunazh, sipas rrjetit francez Le Monde. Franca thotë se zyrtarët punonin si staf IT, por mbeten ende në arrest shtëpiak, sipas zyrtarëve të sigurisë në Burkina Faso.

Një vit më herët në dhjetor 2022, dy francezë të tjerë u dënuan nga vendi me akuza spiunazhi, të cilët punonin në një kompani të Burkina Faso.

FOTO GALERI
1/3
Që prej ardhjes në pushtet me një grusht shteti në 2022, qeveria ushtarake e Burkina Faso është distancuar nga Franca që ka qenë ish-fuqia koloniale

Top Channel