Zbulohet vrima e dytë e zezë më e madhja në Rrugën e Qumështit

17/04/2024 00:53

Astronomët kanë zbuluar një vrimë të zezë me një masë rreth 33 herë më të madhe se ajo e diellit, më e madhja që gjendet në galaktikën tonë të njohur si “Rruga e Qumështit”. Një vrimë tjetër e zezë, supermasive, gjendet në qendër të galaktikës sonë.

Vrima e zezë e sapo identifikuar ndodhet rreth 2000 vite dritë nga Toka, relativisht afër në aspektin kozmik, në konstelacionin Aquila dhe ka një yll shoqërues që rrotullohet rreth saj, thanë studiuesit të martën. Një vit dritë është distanca që përshkon drita gjatë një viti, rreth 9.5 trilion km.

Vrimat e zeza janë pjesë e hapësirës në univers ku graviteti është aq i fuqishëm sa edhe drita nuk mund të shpëtojë, çka e bën të vështirë zbulimin e tyre.

Kjo vrimë e zezë u identifikua përmes vëzhgimeve të bëra nga misioni Gaia i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, pasi shkaktoi lëkundjen e yllit që e shoqëron atë. Misioni Gaia po harton një regjistër madhor të yjeve.

Për verifikimin e masës së vrimës së zezë u përdorën të dhëna nga teleskopi shumë i madh i Observatorit Evropian Jugor me bazë në Kili dhe observatorë të tjerë tokësorë.

“Kjo vrimë e zezë nuk është vetëm shumë masive, por edhe shumë e veçantë në shumë aspekte. Në të vërtetë është diçka që kurr nuk e prisnim ta zbulonim”, thotë Pasquale Panuzzo, inxhinier kërkimor në agjencinë franceze të hulumtimeve CNRS, që punon në Observatorin e Parisit. Ai është autori kryesor i studimit të botuar në revistën “Astronomy & Astrophysics”.

Një nga veçoritë është se vrima e zezë, e quajtur Gaia BH3, dhe ylli i saj shoqërues po udhëtojnë brenda galaktikës në drejtim të kundërt të mënyrës se si yjet sillen zakonisht në orbitat e tyre në Rrugën e Qumështit.

Gaia BH3 ndoshta u formua pas shpërbërjes së një ylli që ishte rreth 40 herë më masiv se dielli, thanë studiuesit.

Vrimat e zeza që formohen nga shpërbërja e një ylli të vetëm quhen vrima të zeza yjore. Gaia BH3 është vrima e zezë yjore më e madhe që njihet deri tani, sipas astronomit dhe bashkautorit të studimit Tsevi Mazeh nga Universiteti i Tel Avivit në Izrael.

Kur ylli në fjalë shpërtheu në fund të jetëgjatësisë së tij, fenomen që njihet si supernova, një pjesë e materialeve përbërëse u përhapën në hapësirë, ndërsa pjesa e mbetur shpërtheu dhunshëm duke krijuar vrimën e zezë. Universi mendohet se ka një moshë prej 13.7 miliardë vitesh.

Ylli shoqërues i vrimës së zezë, Gaia BH3, është po aq i vjetër sa ylli tjetër që shpërtheu dhe është rreth 76% e masës së diellit dhe pak më i ftohtë, por ka një ndriçim rreth 10 herë më të lartë.

Ylli rrotullohet rreth vrimës së zezë në një orbitë eliptike në një distancë rreth 4.5 herë të madhe se ajo midis Tokës dhe Diellit, matje që quhet si njësi astronomike, shkurtimisht AU dhe 29AU. Për krahasim, Jupiteri rrotullohet rreth pesë AU nga dielli dhe Neptuni rreth 30 AU.

“Zbulimi befasues për mua ishte fakti se përbërja kimike e këtij ylli shoqërues nuk tregon asgjë të veçantë, kështu që nuk u ndikua nga shpërthimi i supernovës së vrimës së zezë”, tha astronomia dhe bashkëautorja e studimit Elisabetta Caffau, e cila punon me Observatorin e Parisit.

Shkencëtarët nuk janë të sigurt se sa të mëdha mund të jenë vrimat e zeza yjore. “Masa maksimale e një vrime të zezë yjore është çështje e debatit aktiv shkencor”, tha shkencëtari Panuzzo./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA