Raporti i Prokurorisë së Përgjithshme gjatë 2023/ Çela: Janë përfunduar 23419 çështje, të dënuar nga gjykata 7254 të pandehur

17/04/2024 11:17

Nga 1995 Kodi Penal është amenduar 30 herë dhe përpjekjet e radhës për të bërë një kod të ri, u kritikuan nga prokurori i përgjithshëm, i cili foli hapur në kulmin e heshtjes që ka përfshirë institucionet draftuese.

Si kreu i prokurorive që nuk hetojnë zyrtarët e lartë dhe as politikën, e megjithatë kanë kompetenca të hetojnë shpërdorimet e detyrës në nivelet zbatuese, Olsian Çela tha se për të të hetuar kriminalitetin janë ndjekur rekomandimet e qeverisë

Për një vit prokuroritë shqyrtuan përmbi 55 mijë kallëzime, ndërkohë që numri i çështjeve të pushuara ngelet i lartë.

Çela: Viti 2023 ishte një vit sfidues për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të çështjeve administrative dhe procedurale që lidheshin me zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe vijimit të uljes së numrit të prokurorëve si pasojë e pezullimit apo shkarkimit gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet pavarësisht ngarkesës, dhe bashkëpunimi institucional dhe ndërinstitucional, dhanë rezultate në punën hetimore dhe zbatimin e rekomandimeve drejtuar prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, siç do të paraqitet në vijim.

Përgjatë vitit 2023 vlerësoj se janë arritur rezultate në një sërë objektivash në fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, kjo në sajë edhe të masave administrative dhe procedurale institucionale, siç janë miratimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të vijuar unifikimin e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre. Kujdes i veçantë i është kushtuar vijimit të zbatimit të akteve të përbashkëta me institucione e agjenci ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe miratimit të marrëveshjeve të reja për të rritur efektivitetin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Kështu, ndër këto masa veçojmë:

– masat për ndjekjen e rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet, detajimit në planin e veprimit të miratuar nga Prokurori i Përgjithshëm, të aktiviteteve të nevojshme për adresimin e çdo rekomandimi, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tij.

– masat për ndjekjen e rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave “Për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2023” nëpërmjet, miratimit dhe zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm nr. 2/2023 “Për rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2023 në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”, miratimit me urdhrin nr. 70/2023 të planit të veprimit me aktivitete të qarta për zbatimin e rekomandimeve prioritare.

Në këto akte udhëzohen masa administrative dhe procedurale për drejtuesit e prokurorive, drejtuesit e seksioneve dhe prokurorët, për të rritur angazhimin proaktiv, koordinimin dhe bashkëpunimin brenda prokurorisë dhe me prokurori të tjera e me institucionet ligjzbatuese, konsolidimin e kapaciteteve dhe menaxhimin efektiv të punës duke prioritizuar veprat penale të rekomanduara për një sistem prokurorie efikas.

– Masat e marra për ndjekjen e objektivave prioritare institucionale në luftën kundër kriminalitetit, ku fokus të veçantë edhe në vitin 2023 kishte vepra penale e pastrimit të parave, vijimi i punës për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme, zbatimin e hartës gjyqësore, digjitalizimin, monitorimin e veprimtarisë së policisë gjyqësore, bashkërendimin me institucione të drejtësisë dhe ato ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, forcimi i kapaciteteve institucionale.

– Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar dhe ka kontribuar në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian, fokusuar në realizimin e masave ku veçojmë: raportimet periodike për progres raportin për kapitujt 23 e 24, planin e veprimit FATF/ICRG, raportimet për Nënkomitetin Drejtësia, Liria dhe Siguria, dhënien e kontributit në hartimin e Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës.

-Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjithshme është përfshirë dhe angazhuar në fazën e zbatimit të hartës së re gjyqësore në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Për të unifikuar veprimtarinë proceduralee dhe mirërregulluar aktivitetin administrativ institucional u synua ndërhyrja me akte nënligjore të Prokurorit të Përgjithshëm.

Gjatë vitit 2023, grupi i punës i ngritur me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, ka ndjekur mbarëvajtjen e procesit dhe ka propozuar marrjen e masave administrative të nevojshme në mënyrë që riorganizimi i prokurorive dhe mbarimi juridik/mbyllja e disave prej tyre, të bëhej në një kohë sa më të shpejtë e duke zgjidhur çdo problematikë të mundshme.
Në kuadër të zbatimit të udhëzimit nr. 1/2023 “Për masat administrative dhe procedurale për zbatimin e hartës së re gjyqësore në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe gjykatës së apelit të juridiksionit të përgjithshëm”, u identifikuan, administruan dhe inventarizuan aktet, dokumentet, regjistrat dhe arkivat për të mundësuar funksionimin sa më të shpejtë me qëllim garantimin e respektimit të të drejtave dhe lirive të personave nën hetim, të pandehurve e viktimave në procesin penal, ruajtjen e sekretit të hetimeve apo ndalimin e publikimit të akteve procedurale penale, sigurimin e vazhdimësisë së shërbimeve për publikun në prokurori, sipas afateve e kritereve ligjore të përcaktuara.
Pas studimit të strukturave organike, u planifikua shpërndarja e burimeve njerëzore për të siguruar numrin e nevojshëm të prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore dhe stafit mbështetës për garantimin e një ngarkese sa më proporcionale të punës.

U transferuan/bashkuan shërbimet e aseteve informatike për gjithë prokuroritë, duke garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e tyre nga humbja, aksesi i të tretëve, vijimin e shërbimeve, si dhe monitorimin e vazhdueshëm të aspekteve të sigurisë në prokuroritë e të gjitha niveleve.

Sa i përket kapaciteteve akomoduese, duke njohur problematikat lidhur me infrastrukturën e pamjaftueshme janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Këtu përmendim: në Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, kanë vijuar punimet në kuadër të investimit për shtimin e një kati ndërtese i cili do të krijojë hapësira të nevojshme për akomodimin e të gjithë stafit të kësaj prokurorie. Për Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, i është kërkuar Bashkisë Fier marrja në administrim e një godine tjetër.

Ka përfunduar detyra e projektimit nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara. Pas vënies në dispozicion nga Bashkia Tiranë të një sheshi ndërtimi do të vijohet me hartimin e projektit. Kemi kërkuar angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e marrëveshjes ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë për vënien në dispozicion të ambienteve akomoduese shtesë/ndërtesa ekzistuese të cilat më pas do t’i nënshtrohen rikonstruksionit dhe përshtatjes, për prokuroritë dhe gjykatat në rrethet Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, pasi ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme ka realizuar detyrimet e saj sipas marrëveshjes, nga ana e palëve të tjera nuk janë respektuar detyrimet e ndërmarra.

Në mënyrë të përmbledhur aspektet e veprimtarisë së prokurorisë për vitin 2023, pasqyrohen më në detaje, sa më poshtë:

ORGANIZIMI I BRENDSHËM, GJENDJA, PROGRESI, PROBLEMATIKAT

Strukturat dhe burimet njerëzore
Në funksion të ruajtjes së nivelit të efektivitetit në veprimtarinë administrative e funksionale të prokurorive, garantimin e paanshmërisë, shpërndarjen e ekuilibruar të volumit të punës në zbatim edhe të hartës gjyqësore, me urdhrat nr. 1/2023, nr. 10/2023 dhe nr. 89/2023, të Prokurorit të Përgjithshëm, janë caktuar strukturat organike të prokurorive pranë gjykatave të shkallës të së parë të juridiksionit të përgjithshëm, apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Në vitit 2023 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 198 (përfshirë dhe emërimet në korrik të 26 magjistratëve të rinj). Ky tregues evidenton strukturën faktike me 62 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 38 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: – 177 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 101 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (64 % e strukturës organike); 10 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 16 prokuror më pak krahasur me numrin organik (38 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 6 prokurorë më pak se numri organik (65 % e strukturës organike).

Kuadri nënligjor 2023

Udhëzime të përgjithshme dhe akte normative me rëndësi në aspektin organizativ dhe funksional të miratuara në vitin 2023 mund të përmendim: udhëzimin e përgjithshëm, nr. 01, datë 26.01.2023 “Për masat administrative dhe proceduralee për zbatimin e hartës së re gjyqësore në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe gjykatës së apelit të juridiksionit të përgjithshëm”, udhëzimin e përgjithshëm nr. 02, datë 12.05.2023 “Për rekomandimet prioritare në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2023 në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”; urdhrat “Për caktimin e personelit në zbatim të udhëzimit të përgjithshëm nr. 3/2019, i ndryshuar, për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore 2023, “Për miratimin e planit të veprimit për zbatimin e rezolutës së Kuvendit datë 06.07.2023 “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2022”,

“Për miratimin e planit të veprimit për zbatimin e ‘Rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2023’”; Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Brendshme dhe Bankës së Shqipërisë “Për rritjen e eficencës në parandalimin dhe mbrojtjen e monedhave nga falsifikimi dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në këtë fushë” nr. 57 prot., i Prokurorisë së Përgjithshme, datë 17.01.2023; Marrëveshja e Bashkëpunimit “Për funksionimin e mekanizmit kombëtar të referimit për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit të personave”, nr. 1311 prot., datë 14.08.2023 ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, dhe organizata me objekt veprimtarie këtë fushë.

Mbi dixhitalizimin

Prokuroria e Përgjithshme e ka konsideruar thelbësore për rritjen e eficiencës së punës, ngritjen dhe funksionimin e sistemit të menaxhimit të çështjes. Për këtë qëllim, me urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm nr. 04 datë 09.01.2023 u ngrit grupi i punës për përgatitjen e dokumentacionit përkatës për krijimin e sistemit të ri të menaxhimit të çështjes.
Në mbështetje të prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, Bashkimi Evropian është angazhuar për të mbështetur financiarisht ngritjen e Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve, dhe për këtë arsye, fondi i akorduar me buxhetin e vitit 2023 për fazën e parë të investimit nuk u përdor. Për sa më sipër, me urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm nr. 04, datë 04.01.2024 është ngritur grupi i ekspertëve mbështetës për sistemin e qendërzuar të çështjeve për të siguruar mbështetje dhe koordinim sa më efektiv të prokurorisë për realizimin e këtij projekti.
Ndërkohë është bashkërenduar puna me Qendrën e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë dhe është hartuar korniza e ndërveprimit të sistemeve të reja të sistemit të drejtësisë (ku përfshihet edhe sistemi CAMS) e cila përfshin ndër të tjera ndërlidhjen e sistemeve elektronike të tyre ndërmjet njëri-tjetrit, por edhe me bazat e të dhënave shtetërore me protokolle informatike, për një komunikim sa më eficient dhe të sigurtë.

Policia gjyqësore

Prokurori i Përgjithshëm mbi bazën e shkeljeve të evidentuara në vitin 2023, ka kërkuar fillimin e hetimeve për shkelje disiplinore për 2 oficerë të policisë gjyqësore. Sektori i Monitorimit, në Prokurorinë e Përgjithshme, në zbatim të udhëzimit nr. 10/2021 “Për ushtrimin e funksionit të monitorimit në sistemin e prokurorisë dhe bashkëpunimin me institucionet kushtetuese dhe ligjore”, i ndryshuar, ka monitoruar, analizuar dhe vlerësuar të dhënat statistikore të nxjerra nga sistemi Statistikat e veprimeve hetimore të oficerëve të policisë gjyqësore të seksionit të prokurorisë si dhe ka përgatitur informacione përmbledhëse periodike 3-mujore për Prokurorin e Përgjithshëm për gjetjet nga monitorimet duke propozuar zgjidhje konkrete.

Është urdhëruar 1 inspektim tematik për saktësinë në hedhjen e të dhënave në sistem në përfundim të të cilit u konstatuan shkelje nga 23 oficerë të policisë gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Prokurori i Përgjithshëm, pas njohjes me rezultatet e inspektimit, ka kërkuar zbatimin me korrektesë të udhëzimit nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore dhe marrjen e masave nga ana e drejtuesve për sigurimin e saktësisë së të dhënave të hedhura.

Marrëdhëniet me median

Një aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, në funksion të rritjes së transparencës dhe të besimit të publikut ka qenë pasqyrimi i gjerë dhe cilësor në media i punës së prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm në të gjitha nivelet. Në këtë kuadër, është shtuar ndjeshëm intensiteti dhe sasia e informacionit që i është komunikuar medias, përmes një angazhimi më të madh të prokurorive të shkallës së parë në përcjelljen e informacionit dhe publikimin e tij.

Prokuroria e Përgjithshme përmes një qasje proaktive dhe dinamike, ka nxitur, mbështetur dhe koordinuar prokuroritë dhe prokurorët e mediave për të forcuar ndërveprimin e tyre me median dhe publikun, çka besojmë se ka rritur dukshëm vizibilitetin e punës së kryer përgjatë gjithë vitit. Vëmendje e veçantë i është kushtuar pasqyrimit të punës edhe në faqen zyrtare të institucionit si dhe në profilin zyrtar të tij rrjetin X, ku përveç njoftimeve zyrtare mbi hetimet, gjykimet apo veprimtari të ndryshme institucionale, vazhdimisht janë publikuar të dhëna specifike të nxjerra nga raportet vjetore mbi gjendjen e kriminalitetit, me qëllim përmirësimin e cilësisë së informacionit të transmetuar nisur nga një këndvështrim më analitik dhe përgjithësues i fenomeneve kriminale.

VEPRIMTARIA E PROKURORIVE, PROBLEMATIKAT DHE ÇËSHTJET QË KËRKOJNË VËMENDJE

Veprimtaria e prokurorive të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm

Raporti mbi gjendjen e kriminalitetit, ku përfshihet dhe raporti mbi ngarkesën e punës së prokurorive për vitin 2023 që i janë vënë në dispozicion këtij Këshilli, paraqesin të dhëna të hollësishme për treguesit e punës dhe ecurinë e veprimtarisë për të gjithë prokuroritë.

Në këtë raportim, vlerësojmë të ndalemi në disa tregues të performancës së prokurorive, problematikat dhe disa çështje që kërkojnë vëmendjen tuaj.

Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar 55253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, që përbëjnë një ulje prej 5,2 % në krahasim me vitin 2022, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 6,2 % në krahasim me vitin 2022 dhe 201 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 70 % në krahasim me vitin 2022. Janë mbartur 21011 procedime penale me një ulje prej 3,9 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2022. Është vendosur mosfillimi për 9946 referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një ulje prej 22,2 % në krahasim me vitin 2022.

Gjatë vitit 2023 janë përfunduar 23419 çështje që përbën ulje prej 9,41 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2022, prej të cilave: 41,21 % janë dërguar për gjykim, 25,76 % janë pushuar, 30,04 % janë pezulluar dhe 2,99 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.

Janë dërguar në gjykatë 9652 çështje me akuzë ndaj 11401 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2022 rezulton një ulje prej 12,13 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 11,87 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Raporti ndërmjet çështjeve dërguar në gjykatë dhe çështjeve të pushuara është 61,54 % me 38,46 %.
Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2023 janë dënuar 7254 të pandehur që krahasuar me vitin 2022 përbën ulje 31,22 % të numrit të pandehurve të dënuar, dhe për 199 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose për 2,67 %.

Siç u paraqit më lart, evidentohet se përgjithësisht ka tendencë në ulje të numrit të procedimeve të regjistruara. Vlerësojmë se në këtë ulje ka patur ndikim edhe Memorandumi i Bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe udhëzimi mbi zbatimin e nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale dhe trajtimin e referimeve të tjera që dukshëm nuk përmbajnë elementë të ndonjë vepre penale, në bazë të të cilave për vitin 2023 rezultojnë 4588 materiale.

Këto akte nënligjore, ashtu si dhe institutet e reja procedurale, urdhri penal dhe marrëveshja e fajësisë, synojnë të vijnë në ndihmë të prokurorëve për të ulur ngarkesën e panevojshme dhe për të mundësuar zgjidhje të shpejtë ligjore për çështje të një rrezikshmërie më të ulët. Megjithatë, këto institute siç vërehet nga shifrat më sipër, nuk rezultojnë të japin impaktin e duhur.

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm ne KLP

Top Channel