Sindikata më e madhe e vendit e sektorit privat GSEE, ka thirrur sot prej orëve të para të mëngjesit një grevë të përgjithshme 24 orëshe me kërkesë kryesore rritjen e pagës, e cila mbetet ende e ulët në krahasim me nivelin e vendeve të tjera europiane rivendosjen e kontratës kolektive të punës dhe mbrojtjen e të ardhurave nga shtrenjtësia.

Anijet kanë mbetur  të ankoruara në portet greke dhe shërbimet e trenave janë  ndërprerë pasi  punonjësit e sektorit të transportit kërkojnë paga më të larta për të përballuar rritjen e kostove të jetesës.

Shumë rrugë të Athinës janë bllokuar nga trafiku i krijuar për shkak të mosfunksionimit të transportit publik. Ndërkohë fluturimet në aeroportet e vendit nuk janë ndërprerë.

Në grevë marrin pjesë edhe punonjësit e sektorit publik, si dhe sindikata EINAP, e cila përfaqëson mjekët në spitalet publike të Athinës dhe Pireut.

Greqia rriti përsëri këtë muaj pagën e saj minimale bruto mujore me 6.4% në 830 euro, rritja e katërt e tillë në pesë vjet, pasi vendi po rimëkëmbet nga një krizë financiare dhjetëvjeçare.

Por sindikalistët thonë se rritja e pagave të punëtorëve nuk mjafton për të përballuar rritjen e kostove të ushqimit dhe strehimit.

“Mesazhi është i qartë. Punëtorët nuk ia dalin dot me paga më të ulëta dhe çmime të larta,” tha në një deklaratë  sindikata e sektorit privat GSEE, e cila përfaqëson rreth 2.5 milionë punëtorë.

Qeveria konservatore e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, e cila fitoi një mandat të dytë  qershorin e kaluar, ka premtuar të rrisë pagën minimale mujore në 950 euro deri në vitin 2027, kur përfundon mandati i saj, dhe të rrisë pagën mesatare me më shumë se 25% në 1,500 euro. të njëjtën periudhë. Dje në grevë ishin gjithë unionet e gazetarëve të Greqisë, me kërkesë kryesore nënshkrimin e kontratës së re të punës dhe rritjen e pagave.

Në këtë momente janë në zhvillim tubimet e sindikatave të sektorit privat në sheshin Klathmonos dhe të sindikatës që mbështet Partinë Komuniste greke,  PAME në sheshin Sintagma para parlamentit, si dhe tubime në qytetet e mëdha të vendit.

 

Top Channel