Inside Story/ Nga popull i përjashtuar në drejtimin e shtetit, Ali Ahmeti: Ishim si qiraxhinj në shtëpinë tonë

17/04/2024 21:30

Maqedonia e Veriut është një republikë e përbërë nga disa etni si maqedonse, shqiptare, bullgare, turke , boshnjake, rome etj. Dy etnitë kryesore, pra me numrin më të lartë të rezidentëve janë maqedonsit dhe shqiptarët.

Këta të fundit përbëjnë rreth 30% të popullsisë. Një statistikë që dikur tentohej të minimizohej nga politikat antishqiptare.

‘Pa ekzagjerime do të thotë që shqiptarët janë 30% në Maqedoni 25% janë rezident dhe mbi 5% janë jo rezidentë. Rreth 12-13 % janë komunitete e tjera si turk, rom, serb, vlleh, boshnjak.

Në Maqedoni stabiliteti ardhëmria e këtij vendi varet nga komunikimi, bashkëpunimi mes dy komuniteteve më të mëdha atij maqedonas dhe shqiptar’ u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i Bashkimit Demokrat për Integrim.

Ndër vite shqiptarëve ju janë mohuar të drejtat themelore të tyre. Por diskriminimin dhe përjashtimin më të madh e përjetuan pas vitit 1991. Ata, po jetonin nën represion në trevat e tyre historike.

‘Shqiptarët në Maqedoni pas ndarjes dhe pavarësisë së Maqedonisë fillon një diskriminim i ri dhe t’u mohohet kushtetuta e vitit 1974 edhe pse ajo kushtetutë i njihte si shtetë formues shqiptarët në Maqedoni por që asnjëherë nuk ishte bërë në praktikë. Në vitin 1992 kjo kushtetutë abrogohet dhe tashmë shqiptarët bëhen qiraxhinj në shtëpi të vetë’ u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i Bashkimit Demokrat për Integrim.

Maqedonia e Veriut që nga viti ‘91 kur filloi procesi i pavarësisë u projektua më tepër si shtet i një etnie. Pra i etnisë më të madhe, asaj maqedonase. Nuk u projektua si një shtet që duhet të përfshinte të gjithë qytetarët që jetojnë aty me të drejta të barabarta. Një politikë e mbrapshtë, sidomos ndaj shqiptarëve që përbënin plot 1/3 e popullsisë. Një popullsi me kapacitete shtetformuese.

Top Channel