Vrasja e gruas në Pejë/ Reagon ministrja e Drejtësisë, takim urgjent me Sveçlën, drejtorin e Policisë dhe kryeprokurorin: Duhet ta luftojmë këtë fenomen

16/04/2024 11:23

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu fton në takim Ministrin e Punëve të Brendshme, Kryeprokurorin, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe kryesuesit e këshillave, pas vrasjes së një gruaje në Pejë, katër ditë pas vrasjes së një gruaje tjetër në Ferizaj.

Ministrja, në një postim në Facebook, e quan ngjarjen të rëndë dhe të patolerueshme. Sipas saj nuk ka rrugë tjetër, por institucionet e Kosovës duhet t’i luftojnë këto fenomene. Haxhiu thotë se nëse nuk reagohet ky fenomen do të vazhdojë.

Gjyljeta Ukella u vra nga bashkëshorti i saj në Pejë, Edmond Lajçi, i cili është vënë në pranga.

Postimi i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Në mëngjesin e sotëm edhe një grua u vra nga burri në Pejë, vetëm 4 ditë nga vrasja e një gruaje po ashtu nga burri në Ferizaj. Kjo është shumë e rëndë. Është tronditëse. Është dhimbje e madhe. Është e patolerueshme.

Për këtë gjë sot kam ftuar në takim ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, u.d Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës dhe po ashtu në një takim tjetër edhe mbledhjen e grupit ndërministror.

Nuk ka rrugë tjetër pos si institucione të Republikës së Kosovës të luftojmë pa kompromis këto fenomene.

Pavarësisht përkushtimit, masave të ndërmarra, fushatave të iniciuara me qëllim pikërisht barazinë gjinore, vrasjet ndaj grave po vazhdojnë.

Shpeshherë dhunuesit janë bërë vrasës pikërisht për shkak të mosndëshkimit adekuat nga institucionet përkatëse.

Vrasjet ndaj grave në Republikën e Kosovës janë bërë fenomen që tejkalon çdo shqetësim. Nuk mund të presim emancipimin e askujt derisa të bëhen të vetëdijshëm për barazinë mes burrit dhe gruas. Asnjë qytetar nuk është mbi dikë tjetër, askush nuk është pronë e askujt. Gruaja dhe burri janë të barabartë. Dhe si shtet nuk do të tolerojmë asnjë lloj dhune të burrit ndaj gruas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA