Venezuela mbyll misionin diplomatik në Ekuador pas bastisjes ndaj konsullatës meksikane (fotot)

16/04/2024 21:45

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro është përfshirë sot në debatin ndërkombëtar të bastisjes së konsullatës meksikane në Ekuador, duke thënë se po mbyll misionin e vendit të tij në kryeqytetin Kuito në shenjë proteste.

Maduro tha se ka urdhëruar “personelin diplomatik të kthehet në Venezuelë… derisa në Ekuador të rivendoset ligji ndërkombëtar”.

Në fjalën e tij gjatë një takimi virtual të grupit CELAC, të vendeve të Amerikës Latine, edhe ai kërkoi lirimin e ish-ministrit vendas Jorge Glas, që kishte kërkuar strehim në ambasadën e Meksikës dhe tani gjendet në një burg të sigurisë së lartë.

Inkursioni i rrallë në një territor diplomatik ka sjellë prishjen e lidhjeve të Ekuadorit me Meksikën dhe tërheqje të diplomatëve të disa vendeve.

Meksika ndërkohë ka paditur Ekuadorin në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, duke thënë se kërkon “pezullimin e vendit nga Kombet e Bashkuara.”

Presidenti meksikan Manuel Lopez Obrador tha se qëllimi i padisë është “që kjo mos të përsëritet në vende të tjera të botës duke garantuar ligjin ndërkombëtar”.

Presidenti ekuadorian Daniel Noboa ka mbrojtur veprimet e policisë duke thënë se ishin të nevojshme pasi i kërkuari Glas ‘përbënte rrezik’, por shtonte se ishte i gatshëm të zgjidhë mosmarrëveshjen me Meksikën.

Glas kishte shërbyer si zv. president i Ekuadorit nga viti 2013 deri në 2017 dhe përballet me akuza korrupsioni për kohën kur ishte në post.

FOTO GALERI
1/3
Presidenti ekuadorian Daniel Noboa ka mbrojtur veprimet e policisë duke thënë se ishin të nevojshme pasi i kërkuari Glas ‘përbënte rrezik’

Top Channel