Është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest me burg” për tre ish-zyrtarë dhe një qytetar, për tjetërsimin e 7500 m2 sipërfaqe tokë në fshatin Bërxullë, në Vorë.
Y. M., 55 vjeç, K. B., 65 vjeç, A. L., 53 vjeç, të tre banues në Vorë, dhe K. A., 60 vjeç, banues në Kombinat, akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës.
Sipas verifikimeve, këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e një sipërfaqeje toke, e cila u sekuestrua në kuadër të operacionit.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit dhe Komisariatin e Policisë Nr. 7, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Haunting”, për ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve””, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel