Një projektligj ndërpartiak që synon angazhim më të shtuar të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor u miratua të martën nga Komisioni për Çështje të Jashtme të Senatit amerikan dhe iu dërgua Senatit për shqyrtim.
Ky projektligj vjen në një kohë të tensioneve të shtuara në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.
“Sot Komisioni për Çështje të Jashtme i Senatit amerikan u dërgoi shteteve të Ballkanit Perëndimor mesazh për një angazhim të ripërtërirë duke bërë përpara me këtë projektligj ndërpartiak. E kam shkruar këtë projektligj duke u përqëndruar tek mundësia për të thelluar përkushtimin tonë dhe investimin në rajon përmes forcimit të marrëdhënieve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik si dhe për të vënë në pah mjetet që kanë Shtetet e Bashkuara për t’iu dhënë përgjigje ndikimit keqdashës, korrupsionit dhe përpjekjeve të tjera që synojnë të minojnë aspiratat demokratike të rajonit”, tha për Zërin e Amerikës Senatorja Jeanne Shaheen.
“Është me rëndësi të theksohet se nëse miratohet në ligj, ai do t’i shndërrojë në ligj urdhrat ekzekutivë ndaj akteve korruptive dhe që bien ndesh me marrëveshjen e Dejtonit në Ballkanin Perëndimor, duke e bërë të qartë që Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë përpjekjet për të minuar paqen dhe stabilitetin në rajon”, shtoi senatorja Shaheen.
Javën e kaluar, në një dëshmi para Komisionit për Forcat e Armatosura të Senatit, Komandanti i Komandës amerikane në Evropë, Gjenerali Christopher Cavoli tha se NATO-ja është në proces të shtimit të forcave dhe armatimeve të rënda në misionin paqëruajtës në Kosovë. Ai fajësoi Rusinë se po nxit “tensionet ndëretnike” dhe tha se Serbia dyshohet të jetë përfshirë në këto operacioni ndikimi në rajon.
Ky projektligj, propozim i përbashkët i Senatores demokrate Jeanne Shaheen dhe Senatorit republikan Roger Wicker, që mban titullin “Akti mbi Demokracinë dhe Përparimin në Ballkanin Perëndimor, zëvendëson një projektligj të ngjashëm që i është propozuar Kongresit amerikan në gusht të vitit 2022.
Projektligji i ri nxit Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të forcojnë marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë si dhe “të forcojnë dhe zgjerojnë integrimin ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor” edhe si kundërpërgjigje ndaj ndikimit rus në rajon, në veçanti varësisë ndaj gasit rus.
“Shtetet e Ballkanit Perëndimor krijojnë një rajon pluralist, shumëetnik në zemër të Evropës, që është i rëndësisë kritike për paqen, stabilitetin dhe përparimin e kontinentit,” thuhet në projektligj. “Paqja e vazhdueshme, stabiliteti dhe përparimi në Ballkanin Perëndimor është drejtpërdrejt i lidhur me mundësitë për avancim demokratik dhe ekonomi për qytetarët dhe banorët e këtyre shtatë shteteve.”
Sipas projektligjit, “është në interesin e ndërsjellë të Shteteve të Bashkuara dhe shtatë vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbështesin një zhvillim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm ekonomik në rajon”.
Në projektligj i kushtohet rëndësi edhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar “një hap pozitiv në avancimin e normalizimit ndërmjet dy vendeve”.
Aty thuhet se të dyja vendet duhet të synojnë që menjëherë të zbatojnë detyrimet nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.
“Kur të jetë shënuar përparim i mjaftueshëm në zbatimin e Aneksit, Shtetet e Bashkuara duhet të mendojnë për nxitjen e nismave për të përforcuar marrëdhëniet dypalëshe me të dyja vendet”, thuhet në projektligj. Këta hapa të propozuar përfshijnë fillimin e dialogut dypalësh strategjik me Kosovën dhe Serbinë dhe mbështetjen e nismave konkrete në fushën e tregtisë dhe investimeve.
“Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare të përgjithshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bazuar në njohjen e ndërsjellë”, sipas projektligjit.
Projektligji veçon zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor të vitit 2023 dhe ngjarjet që pasuan, duke vlerësuar se ato “shkaktojnë një shqetësim të thellë për gjendjen e demokracisë në Serbi”. Projektligji radhit shkeljet e procesit zgjedhor të dokumentuara nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që i vëzhgoi këto zgjedhje, për të cilat deklaroi se u zhvilluan në “kushte të padrejta”.
Sipas projektligjit, akuzat e zyrtarëve serbë ndaj protestuesve paqësorë, partive opozitare dhe shoqërisë civile se bëjnë përpjekje për të destabilizuar qeverinë, “janë një akuzë shqetësuese që kërcënon sigurinë e elementëve të rëndësishëm të shoqërisë serbe”.
“Shtetet demokratike vlerat e të cilave përputhen me Shtetet e Bashkuara janë më të denja për një partneritet më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm”.
Ky projektligj po ashtu nxit qeverinë amerikane të përkrahë “anëtarësimin e përshpejtuar të atyre vendeve të Ballkanit Perëndimor që ende nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe që e dëshirojnë dhe janë të përshtatshme për anëtarësimin” në këto organizata.
“Reformat dhe integrimi në Bashkimin Evropian që e synojnë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ndihmuar drejt përparimit të dukshëm demokratik dhe ekonomik në rajon”, thuhet në projektligj.
Por ai tërheq vëmendjen se shkalla e varfërisë dhe papunësisë në rajon po ndikon në emigrimin e të rinjve, duke çuar në rënie të popullatës në të shtatë vendet.
Projektligji thotë se korrupsioni, përfshirë udhëheqësit politikë që përfitojnë nga ai, vazhdon të “paraqesë një prej pengesave më të mëdha ndaj zhvillimit të mëtejshëm ekonomik dhe politik të rajonit” dhe nxit Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë për përmirësimin e funksionimit të shtetit ligjor dhe reformat demokratike.
Ndërkohë, projektligji ka vënë në dukje edhe fushatat dezinformuese që “kanë për qëllim të dëmtojnë institucionet demokratike, përfshirë integritetin e zgjedhjeve”.
Krahas paralajmërimeve për ndikimin rus në Ballkan, projektligji tërheq vëmendjen edhe për “ndikimin në rritje të Kinës” në rajon, duke thënë se ai mund të ketë “ndikim të dëmshëm në konkurrencën strategjike, demokracinë dhe integrimin ekonomik me Evropën”.
Për t’u shndërruar në ligj, ky projektligj duhet paraprakisht të miratohet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve para se të nënshkruhet nga Presidenti Joe Biden.
Top Channel