Dy vrasje në katër ditë! Reagimet pas vrasjes së gruas në Pejë: Shpallni gjendje emergjente! Në 10 vite 56 gra janë vrarë në Kosovë

16/04/2024 15:07

Brenda katër ditësh, Kosova u trondit dy herë nga vrasjet e grave.

Në Pejë të martën në mëngjes, Gjyljeta Ukella u vra nga bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi i cili ishte i akuzuar për dhunë në familje e të premten e shkuar, në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, Erona Cokli u vra nga ish-bashkëshorti i saj, derisa ishin duke marr shërbim për kujdestarinë e fëmijës.

Shoqëria civile me protestë kërkon shpalljen e gjendjes emergjente.

Edhe një herë i bëjmë thirrje shtetit të shpallë gjendje emergjente”, tha aktivistja Liridona Sijarina.

Kjo protestë u mbajt para objektit ku ka vazhduar punimet Forumi për Gruan, Paqen dhe Sigurinë, i cili nisi me një minutë heshtje për vrasjen e Gjyljeta Ukellës e u kërkua konsolidim i institucioneve për t’i mbrojtur gratë.

“Ajo që duhet të ndodhë është vërtetë konsolidimi i mekanizmave tonë të sigurisë e gjyqësisë që rastet e tilla të mos ndodhin”, u shpreh Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar duke kërkuar që të ndalet femicidi.

“Ky fenomen i tmerrshëm që po plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid me përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet me çdo kusht”, tha Osmani.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka dënuar aktin dhe ka thirrur takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Drejtorin e Përgjithshëm të Polcisë së Kosovës, ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit dhe kryesuesit e këshillave për të diskutuar për gjendjen.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha ka vizituar vendin e ngjarjes ku u vra këtë të martë Gjyljeta Ukella. Nga aty foli edhe për punën e task forcës kundër dhunës në familje duke thënë që janë shtuar në nivel lokal numri i policëve që reagojnë për rastet e dhunës në familje.

Më shumë se 27 zyrtarë policorë janë nën hetime për dhunë në familje, e drejtori thotë se për to duhet priten rekomandimet e Inspektoratit të Policisë së Kosovës.

Drejtori i Policisë ka thënë që janë në procedura të identifikimit të kompanive për të furnizuar policinë me pajisje për monitorim elektronik për të gjithë ata që kanë urdhër mbrojtje.

56 gra janë vrarë në dhjetë vjetët e fundit në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA