Deklaratat e Metës ndaj kreut të SPAK, deputeti Sula: Akuza të tilla tregojnë se drejtësia e re po depërton te “të paprekshmit”

16/04/2024 20:57
Deputeti, Dashnor Sula

Pas reagimit të bërë nga KLP mbi deklaratat e Ilir Metës ndaj kreut të SPAK, ka pasur reagim edhe nga opozita.

Deputeti demokrat, Dashnor Sula nëpërmjet një reagimi në facebook, ka kërkuar që të ndalen sulmet ndaj SPAK.

Sula shkruan se akuzat që po bëhen ndaj Prokurorisë së Posaçme, tregon se drejtësia e re po arrin të depërtojë tek politikanë që e janë konsideruar si “të paprekshëm”.

“Sulmet ndaj SPAK duhet të ndalen! Në 2016, reforma në Drejtësi mori 140 votat e deputetëve. U duartrokit nga të gjithë. Me kalimin e viteve, drejtësia e re ka arritur të fitojë besimin e qytetarëve.
SPAK dhe GJKKO gëzon për momentin përqindjen më të larte të besueshmërisë nga qytetarët.
Të gjithe jemi të vetëdijshëm se drejtësia e re mund të bëj më mirë. Por që drejtësia të bëj më mirë, duhet të ndalim një orë e më parë sulmet ndaj SPAK dhe drejtuesit të saj. Fakti që sulmet ndaj SPAK janë shtuar shumë së fundmi, tregon se drejtësia e re po depërton tek ata që janë konsideruar të paprekshëm”
– shkruan deputeti.

Ai e konsideroi si të patolerushëm faktin që në javët e fundit kanë nisur sulme nga të gjitha anët ndaj SPAK-ut duke shtuar se kushdo që nuk ka abuzuar me pushtetin, duhet të jetë i qetë.

“Drejtësinë e reformuar ndaj e kërkuam në fakt: të depërtojë tek të “paprekshmit”. Por menjëherë sapo krijohet perceptimi se po kalohen hendeqet, javët e fundit kanë nisur sulme nga të gjitha anët ndaj SPAK. Kjo është e patolerushme. Kushdo që mendon se është i pafajshëm dhe s’ka abuzuar me pushtetin duhet të jetë i qetë të përballet”– përfundon Sula në reagimin e tij.

Top Channel