Anketa: 1 në 3 amerikanë mendojnë se Trump veproi jashtëligjshëm në rastin e pagesës në këmbim të heshtjes

16/04/2024 16:45

Ish Presidenti Donald Trump shkoi sot sërish në seancën gjyqësore në Nju Jork, në ditën e dytë të procesit gjyqësor kundër tij, ku po vazhdon përzgjedhja e anëtarëve të jurisë. Zoti Trump e kritikoi të hënën gjykatësin dhe prokurorët dhe e quajti rastin kundër tij “një persekutim politik” dhe “sulm ndaj shtetit”.

i akuzohet se ka falsifikuar të dhënat e biznesit, për të fshehur një pagesë për një aktore të filmave pornografikë, për të blerë heshjtjen e saj për marrëdhëniet e pretenduara me të. Por jashtë sallës së gjyqit, shumica e amerikanëve besojnë se ai nuk i ka shjkelur ligjet në këtë rast.

Para dhe pas paraqitjes së tij në bankën e të akuzuarit në gjyqin historik, i pari i këtij lloji ndaj një ish presidenti amerikan, zoti Trump, i cili është deklaruar i pafajshëm, e cilësoi procesin si një përpjekje politike të kundërshtarëve të tij për të penguar fushatën e tij zgjedhore.

“Ky është sulm ndaj Amerikës. Kurrë nuk ka ndodhur diçka e këtillë më parë… Kjo është një përndjekje politike e pashembullt. Nuk është dëgjuar gjëkundi një gjë e tillë. Nuk është dashur kurrë të ngrihet kjo aktakuzë… Bëhet fjalë për sulm kundër një kundërshtari politik,” deklaroi ish Presidenti Trump.

Brenda sallës së gjyqit, ku nuk lejohen kamerat, zoti Trump u paraqit i heshtur dhe i rezervuar.
Ai akuzohet se falsifikoi të dhënat e biznesit për të fshehur pagesat në këmbim të heshtjes së aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, mbi një lidhje të dyshuar jashtëmartesore me të.

Gjyqi filloi të hënën me përzgjedhjen e jurisë, që do të vazhdojë edhe sot. Gjyqi po zhvillohet në një kohë kur zoti Trump garon për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara.

Procesi gjyqësor pritet të zgjasë të paktën gjashtë javë dhe zoti Trump është i detyruar të jetë i pranishëm në të gjitha seancat, çka pritet të ndikojë në fushatën e tij elektorale në shtetet ku gara me rivalin e tij demokrat Joe Biden është e ngushtë.

Zoti Trump është ish presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale dhe nëse dënohet, rrezikon të vuajë dënim me burg.

Në një anketë të publikuar të martën, të kryer nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra për hulumtime të Çështjeve publike NORC, vetëm rreth një e treta e amerikanëve mendojnë se zoti Trump ka shkelur ligjet në rastin e pagesës në këmbim të heshtjes. Ndërkohë afro gjysma e amerikanëve mendojnë se ai ka shkelur ligjin në tre rastet e tjera penale kundër tij.

“Rreth 3 në 10 të anketuar mendojnë se sjellja e tij nuk ka qenë etike, por jo në kundërshtim me ligjin. Dhe rreth 14 përqind të tjerë mendojnë se ai nuk ka bërë ndonjë gabim… Krahasojeni këtë me rreth gjysëm e amerikanëve që mendojnë se zoti Trump ka vepruar jashtëligjshëm në tre rastet tjera penale kundër tij,” thotë përfaqësuesja e agjencisë The Associated Press, Amelia Thomson-DeVeaux.

Megjithatë, sipas anketës, nëse zoti Trump shpallet fajtor, rreth gjysma e amerikanëve do ta konsideronin atë si të papërshtatshëm për të shërbyer si president.

Ndonëse gjykata në Nju Jork do të vendosë mbi fajësinë e tij, opinioni publik për procesin gjyqësor mund ta dëmtojë pozitën politike të zotit Trump. Një dënim i mundshëm mund t’i japë goditje të rëndë fushatës së tij./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA