Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë: Kosovën e pret punë e vështirë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës në maj

16/04/2024 23:01

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha të martën se Kosovën e pret tani “një punë e vështirë” për t’i bindur ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës ta miratojnë anëtarësimin e saj në këtë organizatë në maj.

Komentet e tij vijnë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e dha dritën jeshile për anëtarësimin e Kosovës gjatë një seance plenare të martën në Strasburg, dhe tani u mbetet në dorë ministrave të vendosin përfundimisht.

“Tani vjen puna e vështirë: në mënyrë që ta sigurojë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave në maj, Kosova duhet të bëjë çfarë është e nevojshme për të bindur me merita dhe veprime”, shkroi Rohde në rrjetin social X.

Gjatë debatit në seancën e Asamblesë Parlamentare të martën, deputetët nga Franca thanë se do të ishte mirë që Kosova të bëjë hapat e parë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para votimit final të ministrave.

Deputeti francez Alain Milon tha gjatë debatit se do të votonte pozitivisht, por se “raporti nënvizon madhësinë e punës që duhet ta bëjë Kosova si themelimi i Asociacionit”… që sipas tij, është hap që mund të bëhet para votimit në maj.

Ka pasur zëra në qarqet diplomatike ditëve të fund që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.

Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Autorja e raportit, Dora Bakoyannis, duke folur për themelimin e Asociacioni, tha se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës. Por, u shpreh se kjo ka qenë një gur themel në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që e udhëheq BE-ja dhe se ajo nuk është në duart e Këshillit të Evropës.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij, por Prishtina nuk e ka themeluar atë./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA