3-vjeçari zhduket bashkë me gjyshen pas takimit të përjavshëm/ Nëna denoncon rastin, shoqërohet në polici gjyshi, zbulohet çfarë tha para hetuesve

16/04/2024 11:49

Një fëmijë 3-vjeçar ka humbur në Durrës prej ditësh, pasi është marrë nga gjyshërit në takimin e përjavshëm të shtunën.

Nëna ka bërë apel mes lotësh që vjehërrit t’ia kthejnë djalin, pasi sipas saj e kanë ata.

Pas denoncimit të gruas, Policia ka shoqëruar gjyshin e fëmijës Rexhep Gjuni, ndërsa janë në kërkim të gjyshes.

Ille Gjuni 22 vjeçe e ka fëmijë të vetëm, djalin 3 vjeç. Ajo thotë se pas vdekjes së të shoqit në aksident  e dërgonte djalin te gjyshërit, por pas vizitës të gjyshërit nuk e kthyen më te e ëma.

Në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për vendndodhjen e fëmijës është shoqëruar dhe një tjetër person.  Rexhep Gjuni, 58 vjeç, nuk ka deklaruar ende se ku ndodhet fëmija, babai i të cilit humbi jetën një vit më parë në një aksident automobilistik.

Burime nga policia thonë se prej 3 ditësh vijojnë kërkimet për të gjetur djalin 3 vjeçar. Kontrollet janë shtrirë dhe në Kukës, po pa rezultat.

Familja është banuese në zonën e ish-Kënetës ku jeton prej vitesh pas ardhjes nga Kukësi.

“Nuk tregon se ku është fëmija, thotë që nuk e di gënjen, familja është nga Kukësi, unë jam nga Dibra, ata janë në Durrës, dua të më sjellin djalin, nuk e di a është gjallë, a është jashtë shtetit, qëkur ka vdek burri marrëdhëniet nuk janë mirë, jetoj tek babi në kënetë në Durrës, i kemi afër, nuk janë tek shtëpia, thonë që nuk janë aty. Prej katër ditësh nuk është”, tha 22-vjeçarja.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. Gj., 60 vjeç, pasi më datë 13.04.2024, në këtë komisariat, është paraqitur një shtetase 23 vjeçe, banuese në Durrës, e cila ka kallëzuar se vjehrri i saj, shtetasi R. Gj., ka marrë fëmijën e saj 3 vjeç dhe nuk ia ka kthyer më.

Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit R. Gj., por nuk e kanë gjetur fëmijën. Vijojnë kontrollet intesive për gjetjen e tij.  Për ecurinë e kërkimeve dhe të veprimeve hetimore për këtë rast do të ketë njoftime të tjera në vijim. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Marrja e padrejtë e fëmijës””, sipas njoftimit të policisë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA