Mbetën në Izrael pas nisjes së sulmeve nga Irani, nxënësit shqiptarë dhe 5 punonjës të Turizmit largohen nga Tel Avivi. Ministri Hasani: Dy qytetarë…

15/04/2024 11:38

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se 10 nxënës shqiptarë dhe 5 punonjës të Ministrisë së Turizmit dhe familjarët e tyre janë larguar nga Izraeli përmes aeroportit të Tel Aviv dhe ndodhen në Qipro.

Sot në mbrëmje mbërrijnë në Shqipëri.

“Qytetarët shqiptarë, që udhëtuan javën e kaluar për arsye pune apo turistike në Lindjen e Mesme janë shëndoshë e mirë.

Prej mbrëmjes së të shtunës, përmes koordinimit të pandërprerë me ambasadat e Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, nisëm punën për të organizuar kthimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fluturimet e të cilëve u anuluan për shkak të situatës së tensionuar në rajon.

10 nxënës që studiojnë në shkollat ndërkombëtare në Izrael, 7 prej të cilëve nga Shqipëria dhe 3 nga Kosova, së bashku me 5 punonjës të Ministrisë së Turizmit dhe familjarë të tyre, kanë mbërritur në Qipro. Sot në mbrëmje të 15 qytetarët që u larguan nga Tel Aviv udhëtojnë drejt Tiranës e Prishtinës.

Po punohet për kthimin në atdhe edhe të dy qytetarëve, të cilët nuk mundën dot të përgjigjeshin në telefon të dielën, ndërsa përgatitej fluturimi i radhës.

Ndërkohë, 13 turistë shqiptarë janë larguar mbrëmjen e djeshme nga Jordania, e prej disa orësh janë pranë familjeve të tyre në atdhe.

Mirënjohje diplomatëve të Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, të cilët ndihmuan dhe asistuan qytetarët në këto orë të vështira”, shkruan ministri Hasani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA