Avokati Spartak Ngjela nëpërmjet një lidhje skype për emisionin “Breaking” me gazetaren Dafina Hysa në Top News foli për zyrtarizimin e kandidaturës së Fredi Beleri për eurodeputet në listën e partisë “Demokracia e Re” të drejtuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
Ai tha se Greqia nuk ka pasur asnjëherë një politikë normale më Shqipërinë duke shtuar se problemi i vërtetë i Athinës zyrtare që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është çështja e Çamërisë. Ndër të tjera, Ngjela theksoi se asgjë nuk e ndryshon vendimin e gjykatës që ka dënuar me 2 vite burg Belerin për blerje të votave në Himarë.
“Le ta zgjedhin, ai është në burg. Të mbarojë burgun dhe të shkojë. Ai është i dënuar me vendim gjykate. Kush e rrëzon vendimin, Parlamenti Europian? Nuk kanë pasur ndonjëherë politikë normale me Shqipërinë ata. I ka trembur shumë pavarësia e Kosovës. Sepse kanë frikë mos fillojë Çamëria. Kanë qenë paralele të barabarta në goditjen që i kanë bërë botës shqiptare. Nuk kanë asgjë çfarë bëjnë. Nëse ata e nxjerrin Belerin, është problemi që duhet të fitojnë gjyqin në Tiranë, jo në BE. Po ku dinë ata çfarë është shteti. Problemi është se ai është një vendim gjyqësor dhe ky është kapur në flagrancë, i incizuar. Burgun le ta bëjë, pasi të bëjë burgun të shkojë atje”- u shpreh Ngjela.
Sipas Ngjelës, Greqia nuk është aspak e shqetësuar për minoritetin grek që pretendon se jeton në Himarë, që u njoh si i tillë vetëm nga ish-kryeministri Sali Berisha i cili sipas avokatit duhet të ishte në burg vetëm për këtë fakt.
“Sfidë e quajnë ata. Por pushteti gjyqësor këtu nuk trembet. Do e çojnë deri në fund, nuk e falin flagrancën. Merren me Belerin se janë në hall të madh, një injorant. Nuk e kanë fituar luftën për të marrë Himarën, ka 20 vjet që duan me çdo kusht ta marrin. Nuk çajnë kokën fare për minoritarët. Gjithë mendjen e kanë tek Himara, e dinin minoritet Himarën. Erdhi Saliu i dha minoritet. Po të ishte ndonjë vend tjetër, do e plaste në burg Saliun, si mund t’i japësh minoritet Labërisë..”– shtoi avokati.
Top Channel