Banorët e Kalifornisë armatosen teksa Roja Kufitare lëshon mijëra emigrantë në rrugët e qyteteve (fotot)

15/04/2024 21:54

Një rritje e konsiderueshme e amerikanëve që blejnë armë zjarri mbrojtjeje është shënuar në dyqanet e grupit ‘Firearms Unlimited California’, që thonë se janë të shqetësuar për numrin e madh të emigrantëve që janë lëshuar nëpër rrugë nga zyrtarët e kufirit.

El Cajon është një qytezë e Kalifornisë me 105,000 banorë.

“Gruaja dhe unë kishim armë shtëpie prej vitesh, por megjithë ato që po shikojnë në kufi, shqetësimet tona janë shtuar “, tha Keith Carnevale, një nga klientët e dyqanit që tha se po armatos të gjithë familjen.

“Nuk besoj se njerëzit vijnë këtu të gjithë për të kërkuar punë, ka shumë njerëz që vijnë me qëllime të këqija, ose për të krijuar kaos”, shtoi burri.

Sipas raportimeve, rreth 125,000 emigrantë janë lëshuar në rrugët e San Diego që prej shtatorit, dhe kjo ka shkaktuar mjaft trazira për vendasit.

Pasi Texas mbylli zona të gjera të kufirit me Meksikën me tela me gjemba dhe ushtarë, shumë emigrantë tashmë po kalojnë nga Kalifornia.

Roja Kufitare thotë se një mesatare prej 1,200 emigrantë hyjnë ilegalisht në rajonin e San Diego prej shkurtit, sipas të dhënave qeveritare të publikuara nga rrjeti CBS News.

“Problemi për njerëzit që jetojnë këtu pranë dyqanit janë ata që i lëshojnë në rrugë”, thotë Gautereaux, duke shtuar se Roja kufitare i sjell emigrantët me autobusë në komunitet dhe i lëshon në rrugë.

Anthony Carnevale, i cili ka ardhur të blejë armë, thotë se zona nuk mund të përballojë këta numra të mëdhenj emigrantësh që lëshohen në rrugë.

“Nuk mendoj se është numri i njerëzve pa dokumente, shumë njerëz janë të shqetësuar për mendësinë e qeverisë sonë dhe arsyet përse e bën këtë”, tha Anthony.

Banorja vendase Sharie Finn tha për rrjetin The Post se cështja e kufirit “1,000%” që ka rol në vendimin për t’u armatosur”, teksa tregon pistoletën Glock në çantën e saj.

Ajo dhe bashkëshorti Wally, drejtojnë një organizatë që ndihmon familjet në gjetjen e anëtarëve të zhdukur, disa prej të cilëve kanë qenë viktima të predatorëve që kanë ardhur ilegalisht në SHBA.

Emigrantët vijojnë të lëshohen në rrugët rreth San Diego pasi qendrat e procesimit të tyre janë të tejmbushura, sipas të dhënave të publikuara nga rrjeti The Post.

Kryebashkiaku i El Cajon, Bill Wells pranon se rezidentët nuk ndjehen të sigurtë prej fluksit të ilegalëve në qytet.

“Kanë ndodhur shumë episode dhune, si për arsye të emigrantëve ashtu dhe të të pastrehëve. Njerëzit kanë frikë prandaj po armatosen më shumë”, tha ai.

Roja Kufitare e SHBA thotë se mund të mbajë emigrantët vetëm për 72 orë, kohë në të cilën nuk mund të kryejë të gjitha kontrollet e kërkuara te prejardhjes.

Në një rast të tillë në mars 2023, ishte liruar në SHBA afgani Mohammad Kharwin, 48 vjeç, i cili rezultoi më vonë në listët e të kërkuarve të terrorit.

FBI tha se ai rezultoi anëtar i grupit terrorist Hezb-e-Islami, por kjo u zbulua vetëm gjashtë muaj pas lirimit të tij, shkruan The Post.

FOTO GALERI
1/5
Banoret janë të shqetësuar për numrin e madh të emigrantëve që janë lëshuar nëpër rrugë nga zyrtarët e kufirit.

Top Channel