Tjetërsuan 151 mijë m2 tokë në Durrës, Gjykata lë në qeli ish-kreun e Kadastrës dhe 4 të tjerë! Kërkuan lehtësim të masës

14/04/2024 15:26

Policia e Durrësit ekzekutoi vendimet e gjykatës në datat 11-12 prill për arrestimin e 5 personave, mes të cilëve dhe ish-kreu i Kadastrës së Durrësit.

Në kërkim për përfitimin e paligjshëm të 151 mijë m2 tokë në Spitallë të Durrësit janë dhe 2 persona, ndërsa të proceduar penalisht janë dhe 9 të tjerë për të cilët është caktuar masa e sigurisë detyrim paraqitjeje. Hetimet për këtë rast nisën në shkurt të vitit të kaluar pas denoncimit të një qytetari se toka e tij për njohjen e pronësine së të cilës ishte në gjyq, në Gjykatën e Lartë, ishte zaptuar dhe rrethuar nga dy subjekte, një prej të cilëve deklaronte se e kishte blerë pronën nga një tjetër kompani. Nga hetimet e drejtuara nga prokurori Pal Deçolli rezultoi se janë bërë një sërë shkeljesh për tjetërsimin e kësaj pasurie për të cilën policia e Durrësit ekzekutoi masat e sigurisë Arrest me burg për ish-kreun e Kadastrës Leonard Kadrimi, 35 vjeç, dhe 4 përfitues të pronësisë mbi tokën, Gjovalin Ndoci, Dashnor Taulla, Lirim Xhameta dhe Ardit Kërtusha.

Mes përfituesve të tokës është dhe Ardit Kërtusha, 33 vjeç, ish-zyrtar i lartë i administratës publike, ish- kryetar i FRESShit në Durrës dhe ish- kandidat për drejtimin e degës së PS-së në Durrës, kandidim nga i cili u tërhoq me bujë dhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021 iu bashkua Partisë Demokratike të Lulëzim Bashës. Në maj të vitit 2022, Ardit Kërtusha i shpëtoi një atentati në lokalin e këngëtarit Noizy në zonën e Currilave në Durrës. Kërtusha së bashku me Gjovalin Ndocin, Lirim Xhametën dhe Dashnor Taullan akuzohen për veprat penale të Mashtrimit dhe Pastrimit të Produkteve nga veprimtaria kriminale, ndërkohë Leonard Kadrimi, Mikel Zoho në kërkim dhe ish-juristja e Kadastrës Aida Kila akuzohen për shpërdorim detyre.

Hetimet kanë zbuluar se praktika për tjetërsimin e pronës është kryer në vitin 2019 nga juristi Mikel Zaho dhe është nënshkruar nga zv.regjistruesi Leonard Kadrimi, duke anashkaluar drejtuesin e asaj kohe Liridon Pula. Kjo praktikë për përfitimin e 75000 m2 tokë në lagjen Mirdita arbitrarisht është futur në arkivën e kadastrës si e regjistruar në 2010.

Nga hetimet ka rezultuar se Gjovalin Ndoci më pas ia ka shitur tokën kompanive të ndryshme. Ndërkohë dhe për tokën e përfituar në sipërfaqen 76 000 m2 nga Dashnor Taulla për të cilën garant ka hyrë Ardit Kërtusha është përdorur e njëjta skemë. Janë përdorur ish punonjës të ndërmarrjes bujqësore spitallë, Lirim Xhameta dhe babai i njërit prej të arrestuarve Dilaver Taulla i ndarë nga jeta, për të përfituar tokë të cilën ua kanë shitur në shumë të vogla personave që kanë ndërhyrë për marrjen e pronësisë.

Sipas prokurorisë së Durrësit, priten të tjera arrestime për tjetërsimin e një sipërfaqeje tjetër toke prej afro 250 mijë metra katrorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA