Antraksi apo plasja siç njihet prej blegtorëve është rishfaqur këtë vit në një vatër të re brenda qarkut të Gjirokastrës duke e çuar në 12 numrin e vatrave të klasifikuara për vaksinim në nivel qarku.
Fshati “Asim Zeneli” në Gjirokastër u konfirmua si vatër e re e plasjes pas infektimit të katër personave që kishin therur dhe konsumuar një lopë jashtë kushteve të kontrollit veterinar. Personat e infektuar janë jashtë rrezikut për jetën ndërsa të gjithë krerët e të imëtave dhe gjedhëve po vaksinohen kundër antraksit.
Shërbimi veterinar nuk ka dokumentuar raste të tjera të kafshëve të ngordhura por po mban në mbikëqyrje situatën dhe po kryhen rreth 27000 doza vaksinash për rreth 26000 krerë të imëtash dhe gjedhësh ku për gjedhët po aplikohet vaksinim me dy doza.
“Këto janë vatra në rrethet e Gjirokastrës dhe Tepelenës sepse Përmeti është i pastër për momentin. Me vatër ne konsiderojmë një fshat ku 3 vjetët e fundit ka dalë pozitiv të paktën një rast”, u shpreh Krenar Veli operator i sistemit për vaksinimin, Drejtoria e Bujqësisë.
Ndryshimi i planit të vaksinimit për zonat ku shfaqet sëmundja nga 10 vjet në 5 vjet e më pas në 3 vjet ka rritur rrezikun e pranisë së atraksit në një nga qarqet më të mëdhenj blegtoral në vend dhe kërkon sipas specialistëve aktivizimin e masave të emergjencës. Shërbimi veterinar ju ka bërë thirrje qytetarëve për të konsumuar vetëm produkte të certifikuara të mishit.
“Është një sëmundje që kap kafshët dhe njerëzit që manipulojnë me kafshën prandaj ju bëjmë thirrje qytetarëve që të blejnë mish në dyqane që furnizohen nga thertoret”, u shpreh Krenar Veli.
Gjatë dekadës së fundit janë evidentuar dhjetëra raste të të imëtave të ngordhura nga sëmundja me origjinë bakteriale dhe disa rase në gjedhë ndërsa rasti i fundit kur një person humbi jetën pas infektimit është shënuar 8 vite më parë.
Në të gjithë qarkun specialistët po mbajnë në mbikëqyrje vatrat shumëvjeçare në Nepravishtë, Fushbardhë, Picar, Kolonjë, Çajup, Lekël, Valare, Dhëmblan, Arrëz, ndërsa po kryhen observime edhe në zona që nuk janë pjesë e skemës së vaksinimit këtë vit.
Top Channel