Ndërtimi shenja pesimizmi/ Ulet kërkesa për blerje, taksa ndaj agjentëve imobiliarë rrit artificialisht çmimet

14/04/2024 20:00

Sektori i ndërtimit shfaqi pesimizëm në muajin mars.

Ndërsa presin që aktiviteti i ndërtimit, punësimi dhe çmimet të ngadalësohen, efekti ndjehet dhe në tregun e pasurive të paluajtshme ku ekspertët tregojnë se ritmi vijon të mbetet i njëjtë në krahasim me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, por me kërkesë më të ulët.

“E vetmja gjë për momenti sipas raporteve dhe interpretimit tonë që shohim si element problematik është mungesa e shesheve të reja kryesisht brenda unazës së madhe të Tiranës. I gjithë fokusi i ndërtimit po shkon drejt zonave periferike, kjo është një element që na bën të kemi një raport të saktë në lidhje me çmimet, që do të thotë e gjitha zona brenda unazës së madhe të Tiranës po fokusohet dhe po homogjenizohet në një çmim të caktuar që ka të bëjë me fazat e ndërtimit ndërkohë nëse blerësit kërkojnë diçka më ekonomike dhe më fleksibilitet në blerje duhet të orientohen se s’bën drejt periferisë”. 

Gjatë këtij viti është futur në fuqi edhe një metodë e re për taksimin e pasurive të paluajtshme me normën 15%, ndërsa për ndërtesat e vjetra çmimi i referencës zbret me 1% për çdo vit vjetërsi. Vendosja e taksës sipas agjentëve ka sjellë një fryrje artificiale të çmimeve të banesave në treg

“Në të gjitha aplikimet që kemi bërë kanë qenë të pasqyruara shumë mirë, noterët kanë qenë bashkëpunues dhe nuk ka pasur ndonjë problematikë. Por, ajo që ka lindur si problem është se pronarët kanë tendencën që edhe pse prona e tyre mund të ketë 20 vite ndërtim, nuk mund të quhen pallate të reja, përsëri kanë tendencën që të jenë në treg me një çmim që kanë pallatet e sapondërtuara, që nuk krahasohen me pjesën e cilësisë së ndërtimit apo komoditetin që ofrojnë.”

Sektori i pasurive të paluajtshme ka sjellë kontributin më të madh në rritjen ekonomike gjatë vitit të kaluar, ndërsa edhe tek investimet e huaja direkte mbajnë peshën kryesore, duke e bërë sektorin jetik për Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit.

 

Top Channel