Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka bërë deklaratën e tij të parë publike pas sulmit të Iranit, duke iu zotuar popullit të vendit se “së bashku do të fitojmë”.
Ndërkohë Presidenti i SHBA Joe Biden do të takohet me udhëheqësit e G7 të dielën “për të koordinuar një përgjigje të bashkuar diplomatike ndaj sulmit të pacipë të Iranit”, sipas një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
“Ekipi im do të angazhohet me homologët e tyre në të gjithë rajonin. Dhe ne do të qëndrojmë në kontakt të ngushtë me udhëheqësit e Izraelit”, thuhet në deklaratën e Biden. “Dhe ndërsa nuk kemi parë sulme ndaj forcave apo objekteve tona sot, ne do të mbetemi vigjilentë ndaj të gjitha kërcënimeve dhe nuk do të hezitojmë të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë.”
“Asetet mbrojtëse të SHBA-së u zhvendosën në rajon në fillim të kësaj jave dhe “ndihmuan Izraelin të rrëzonte pothuajse të gjithë dronët dhe raketat e ardhura”, thuhet në deklaratë.
Biden foli gjithashtu me kryeministrin izraelit Netanyahu pas sulmit të së shtunës “për të riafirmuar angazhimin e hekurt të Amerikës për sigurinë e Izraelit”.
“I thashë se Izraeli demonstroi një kapacitet të jashtëzakonshëm për të mbrojtur dhe mposhtur edhe sulme të paprecedentë, duke u dërguar një mesazh të qartë armiqve të tij se ata nuk mund të kërcënojnë efektivisht sigurinë e Izraelit”, shkroi presidenti.
Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në një deklaratë ditën e sotme u shpreh se “do të konsultohet me aleatët dhe partnerët në rajon dhe në mbarë botën në orët dhe ditët në vijim” pas sulmit hakmarrës iranian ndaj Izraelit.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmin e Iranit ndaj Izraelit në termat më të ashpër,” tha Blinken. “Ndërsa ne nuk kërkojmë përshkallëzim, ne do të vazhdojmë të mbështesim mbrojtjen e Izraelit dhe siç e bëri të qartë Presidenti, ne do të mbrojmë personelin amerikan”.
Top Channel