Jordania, Iraku dhe Libani rihapin hapësirën ajrore, pas sulmeve me dronë dhe raketa kundër Izraelit

14/04/2024 11:38

Jordania, Iraku dhe Libani rihapën hapësirën e tyre ajrore të dielën, pasi e mbyllën atë të shtunën vonë, kur Irani nisi sulme me dronë dhe raketa kundër Izraelit.

Televizioni shtetëror i Jordanisë, duke cituar autoritetet e aviacionit, tha se vendi ka rifilluar operacionet e trafikut ajror.

Autoriteti i aviacionit në Irak tha se rreziqet e sigurisë tani janë kapërcyer, ndërsa autoritetet në Liban thanë se aeroporti i këtij vendi do t’i rifillojë aktivitetet pas mbylljes brenda natës.

Edhe Izraeli tha më herët se ka rihapur hapësirën e tij ajrore. Irani nisi sulme me dronë dhe raketa kundër Izraelit të shtunën vonë, në shenjë hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Siri, më 1 prill. Irani e akuzoi Izraelin për kryerjen e këtij sulmi, por ky i fundit as nuk e konfirmoi, as nuk e mohoi.

Jordania, e cila shtrihet midis Iranit dhe Izraelit, vuri në gjendje gatishmërie mbrojtjen e saj ajrore, për të kapur çdo dron ose raketë që shkel territorin e saj, raportoi agjencia e lajmeve, Reuters, duke u thirrur në dy burime rajonale të sigurisë. Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e dronëve dhe raketave të Iranit u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se SHBA-ja e ndihmoi Izraelin që “t’i rrëzonte pothuajse të gjitha”. Mbretëria e Bashkuar dislokoi avionët e saj luftarakë në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA