Një sasie gomash e materialesh plastike u është vënë zjarri në Shkozet të Durrësit.
Tymi toksik i çliruar prej tyre ka alarmuar banorët të cilët kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës pak para mesditës së të dielës. Vatra e zjarrit u konstatua në lagjen nr.14, Shkozet, në zonën e quajtur NISHTulla. Me të mbërritur në zonë automjeti i shërbimit zjarrfikës me 5 efektivë konstatoi se po digjeshin goma dhe mbetje plastike e mbeturina të tjera. Ndërhyrja e shpejtë çoi në shuarjen e zjarrit pa regjistruar probleme në objektet dhe banesat e zonës, por vetëm tym për shkak të materialeve që digjeshin.
Në këtë zonë janë të përsëritura rastet e zjarrvënies së gomave, ndaj dhe shërbimi zjarrfikës i bashkisë Durrës ka bërë denoncimin pranë shërbimeve të policisë për të vënë para përgjegjësisë penale personat përgjegjës.
Top Channel