“Do vijnë ata… të shkojshe njiherë nga lokali”, Top Channel siguron dosjen! Zbardhen përgjimet si shtetasit nga Bangladeshi ndihmoheshin për të kaluar kufirin

14/04/2024 12:26

Dy ditë më parë një grup kriminal është shkatërruar, pas një operacioni mbarëkombëtar për evidentimin dhe ndalimin e personave që japin ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, apo për anëtarë të grupeve të strukturuara kriminal, ku ranë në pranga disa persona, mes tyre policë.

Në dosjen e siguruar nga Anila Hoxha për Top Channel, e bangladeshasve, dyshohet se për gjashtë muaj hynë në Shqipëri 253 persona të huaj, duke ndjekur linjën ajrore Dubai – Rinas. Pasi mbërrinin në Shqipëri, grupi shpërndahej, duke e lënë vendin tonë dhe duke kaluar përmes kufirit të gjelbër, të ndihmuar nga trafikantë dhe efektivë të policisë shqiptare.

Gazetarja Anila Hoxha, që po ndjek masën e sigurisë ndaj 25 të dyshuarve, një masë që drejtohet nga gjyqtarja Flora Hajdedinaj, raportoi detaje nga fashikulli. Vëzhgimet dhe përgjimet tregojnë se si tri biznese depozitojnë praktikë fiktive mes tyre dhe kontrata qiraje fiktive për shtetasit e huaj, që do të pajiseshin me vizë të tipit D, bazuar në një VKM të vitit 2021 për kriteret, hyrjen dhe qëndrimin e të huajve në Shqipëri.

Gjithashtu në një dosje vihet re se pasi një grup i emigrantëve u kap në Kosovë, grupi kriminal ka ndryshuar taktikë.

Pjesë e përgjimeve është edhe Luan Sulaj, 46-vjeçari nga Tirana, biznesmen që ra në pranga për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” , “Falsifikimi i dokumenteve “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grup kriminal”.

Policia ka vëzhguar se si futeshin shtetasit e huaj në ambientet e pasme të restorantit në emër të tij, në mënyrë të fshehte duke dhënë ndihmë për qëndrimin e tyre aty, për të cilën kishte dijeni edhe djali i tij. Në përgjime Luan Sulaj flet me Henri Sulajn, të cilit i kërkon që të shkojë tek lokali, për të pritur 5 persona nga Bangladeshi.

-Për sa i përket personit nën hetim Luan Sulaj

Nga mënyra e të vepruar ku personat vendosen në ambiente të pasme të restorantit dhe futja e tyre nëpër automjetet kryhet në mënyrë të fshehtë, faktin që personi nën hetim Luan Sulaj është vëzhguar në prani të personave nën hetim në ambientet e restorantit dhe ka dhe komunikime me djalin e tij në lidhje me pritjen e shtetasve të huaj provohet dijenia e tij dhe dhënia ndihmë. Po ashtu rezulton se pas kapjes së personave në Kosovë, grupi ka ndryshuar mënyrën e të vepruarit fakte këto që krijojnë dyshimin se ai ka qenë lidhja me personat që kanë bërë transportin (për më tepër referoju relacionit)..

Pjesë nga përgjimet, në orën 14:13:31.

Nga: 3556******39 – ky numër celular posedohet nga shtetasi Luan Sulaj. A

Për: 3556******92- ky numër celular posedohet nga shtetasi Henri Sulaj. B

A – Luan Sulaj / B  – Henri Sulaj

B: Alo

A: Ku je ti shpirto ?

B: Xhiro

A: Ku?

B: Tironë

A: Je .’Tironë ti?

B: Pse?

A: Për drekë e burr thash t’shkojshe njiher te lokali

B: Kur?

A: Tashi them mos vine ato pese veta pranej

B: Sa?, Kush e, ato te Bangladeshit o?

A: Ee

B: Sa veta?

A: Pese

B: Po Genci a o’ aty ?

A: Genci e ka myll per momentin. Kto jan tu ik icik me ate…

B: Po e di pra, te shkoj une atje?

A: Ee, po ku je ti, n’Tirone

B: Po

A….

Në restorantin e tij qëndronin edhe trafikantë të tjerë, po ashtu të arrestuar, si Luan Tafalla dhe Endri Seitit dhe Luan Sulës dhe personi nën hetim Lulzim Lami. Luan Sulaj gjithashtu siguronte transportin  nëpërmjet grupit kriminal të Kukësit.

Sipas dosjes, duke qenë se në datën 11.09 2023 në territorin e Kosovas u kapën shtetasit e huaj, personat nën hetim ndryshuan mënyrën e të vepruarit edhe për sa i përket pritjes së tyre ku tashmë në Rinas nuk paraqitet më personi nën hetim Luan Tafalla, (i cili në disa raste shkon në Rinas por qëndron larg Aeroportit); si dhe akomodimit të këtyre shtetasve, fakte nga të cilat krijohet dyshimi se personi nën hetim Luan Sulaj siguronte transportin nëpërmjet grupit kriminal të Kukësit. Vlen për tu theksuar që në datën 08.09.2023 në ambientet e restorant Sulaj është konstatuar në shoqërinë e personave nën hetim Luan Tafalla dhe Endri Seitit dhë Luan Sulës dhe personi nën hetim Lulzim Lami, i cili dyshohet se siguron kontrata të qirasë për efekt të justifikimit të akomodimit të shtetasve të huaj, por edhe si pritës i shtetasve të huaj për llogari të “Magshoes” sh.p.k.

Top Channel