Bajrami “teston” Milan! Kuqezinjtë i sfidon Sasuolo në prag të dy ndeshjeve vendimtare javën e ardhshme

14/04/2024 12:57

Milani luan gjithçka brenda tetë ditëve të ardhshme, ndaj edhe ndeshja e sotme në orën 15:00 kundër Sasuolos mund të ketë një peshë të madhe te kuqezinjtë

Praktikisht skuadra e Piolit e ka siguruar vendin e dytë dhe pjesëmarrjen në Champions, por pas Sasuolos do të luajë të enjten ndeshjen e kthimit në çerekfinalet e Ligës së Europës kundër Romës, ndërsa më pas e pret derbi me Interin në kampionat.

Janë dy ndeshje vendimtare për mënyrën se si Milani kërkon ta byllë sezonin, prandaj edhe dueli i sotëm me Sasuolon e Nedim Bajramit është i rëndësishëm në prag të dy supersfidave gjatë ditëve të ardhshme. Humbja me Romën në San Siro në ndeshjen e Ligës së Europës ka rikthyer pasigurinë në kampion kuqezi, mbi të gjitha për trajnerin Pioli, për të cilin flitet se do të pasohet nga Mauricio Sarri pasi të përfundojë ky sezon.

Sa i përket Bajramit, ai ka shanse të mira që ta nisë titullar sot, por duhet të fitojë balotazhin me shokun e skuadrës, Enriken. Megjithatë, për fantazistin e kombëtares shqiptare pritet të ketë të paktën një pjesë loje në dispozicion, pasi forma e tij javët e fundit ka ardhur në rritje.

Ndërkaq, sot në mbrëmje do të zbresë në fushë edhe Interi që në orën 20:45 pret Kaljarin në shtëpi. Sipas raportimit të medias italiane Inzagi pritet të bërë rotacion në gjerë në ekip dhe mund të ketë hapësira edhe për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, i cili javën e kaluar kundër Udinezes nuk u aktivizua asnjë minutë.

Roma ndërkaq do të luajë në transfertë pikërisht kundër Udinezes dhe De Rosi pritet të aktivizojë më të mirët, sepse verdhekuqtë janë në luftë për një vend në zonën Champions. Serinë A e kryeson Interi me 82 pikë në 31 javë, i ndjekur nga Milani me 68 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA