“Saliu është i arrestuar, ka lëvizje nga SPAK”, Ngjela: Shumë shpejt mund të ketë pranga edhe për…

13/04/2024 09:51

Në një lidhje skype për emisionin top “Top Talk” me gazetaren Juli Xhokaxhi në Top Channel, avokati Spartak Ngjela paralajmëroi se pritet të ketë “goditje” nga ana e SPAK-ut drejt zyrtarëve të nivelit të lartë që janë përfshirë në afera korrupsioni.

Ngjela tha se në vijim edhe tre ose katër zyrtarë të lartë deri në nivelin e ministrave, mund të jenë subjekt i SPAK-ut për shkelje të kryera gjatë detyrës.

“Të dy palët janë trembur. Edhe Rama është trembur. Këto janë çështje penale që drejtohen nga stuktura të mëdha të anti-krimit, ndërkombëtarët. Unë shoh se ka lëvizje, Saliu është i arrestuar. Kam përshtypjen që do ketë edhe nja tre ose katër nga nivelet e larta, ministra. Rama është i paprekshëm se është kryeministër dhe ka mazhorancën. Kur kërcënon SPAK-un u thotë që kam mazhorancën. Kur strukturat juridike dalin shpesh dhe thonë do vazhdojmë, e kanë argument politik, jo juridik. Sepse vonesat krijojnë pikëpyetje dhe ata e ndërmarrin këtë hap për të thënë se ne jemi ata që kemi qenë dhe do vijojmë”– tha Ngjela.

Sa i takon deklaratës së bërë nga kreu i SPAK, Altin Dumani i cili u ankua se institucionet shtetërore nuk po denonconin rastet e korrupsionit, Ngjela tha se nuk i jepte të drejtë pasi është prokuroria që duhet t’i gjurmojë këto raste.

“Mendoj se Dumani këtu nuk ka të drejtë. Kemi një institucion ligjor që është prokuroria edhe gjykatat që kanë eleminuar një numër shumë të madh punonjësish të tyre të cilët nuk kanë justifikuar dot pasurinë. Ata i kanë pushuar sepse kanë dyshime për korrupsion. Në Shqipëri, korrupsioni kishte marrë pushtetin. Nuk e ka lëshuar ende por nuk është aq i fortë sa ka qenë. Reforma në Drejtësi po e zbeh”– tha Ngjela ndër të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA