Korrupsionin në komisionet e prokurimeve publike, qeveria ka në plan ta luftojë me anë të teknologjisë së avancuar.
Edi Rama beson se zevendësimi i njerëzve me inteligjencën artificiale do e bëjë procesin më transparent.
“Prokurimet që janë një problem nga ku buron edhe pjesa më e neveritshme e qelbit të korrupsionit. Me modelin e inteligjencës artificiale ne mund ta kapërcejmë komplet këtë gjë. Duke e kapërcyer komplet, s’kemi më nevojë për këtë konsum të madh energjish të bëjmë këto procese dhe nga ana tjetër neutralizojmë në një masë shumë të madhe atë burim qelbi. E kthejmë prokurimin e fondeve publike në një proces transparent dhe të thjeshtë dhe të lexueshëm”- u shpreh kryeministri Edi Rama.
Kryeministri sqaroi se dixhitalizimi i sistemit do bëjë në mënyrë automatike vlerësimin e kritereve si dhe më pas zgjedhjen e fituesit të tenderit duke shmangur edhe burokracitë .
“Sepse në fund të ditës të ditës te gjithë ato qindra mijëra ndërveprime që bëjnë njerëzit, shko merr ketë, bjer atë letër merr atë letër, të mungon kjo, kështu ashtu… ato o bën algoritmi, i bën modeli”– shtoi kreu i ekzekutivit.
Dixhitalizimi i sistemit, i jep mundësi Agjencisë së Prokurimit Publik, që të hetojë të dhënat e kompanive pjesëmarrëse, në mënyrë që të mos marrin pjesë në garë kompani fiktive.
Top Channel