Vrasja e 21-vjeçares në institucionin shtetëror, kryetari i Komunës së Ferizajt: Të tronditur thellë, drejtësia t’i japë dënimin e merituar autorit

12/04/2024 17:35

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në një postim ka shprehur ngushëllimet për gruan që ka mbetur e vdekur pasi u qëllua me armë zjarri këtë të premte, në zyrat e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.

Dyshimet e para janë se ish-bashkëshorti ka vrarë ish-gruan, ndërsa i plagosur ka mbetur vëllai 15-vjeçar i viktimës.

Ai tha se janë të tronditur nga lajmi, ndërsa sqaroi se viktima dhe autori po merrte shërbim në institucion, kur ky i fundit ka qëlluar për vdekje ndaj ish-bashkëshortes dhe vëllait të saj dhe më pas ka kërcënuar me armë punonjësin e qendrës.

Aliu ka përgezuar efektivët e policisë për reagimin e shpejtë, për arrestimin e autorit. Kryetari i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që t’i japin dënimin e merituar autorit.

Postimi i Agim Aliut

Të tronditur thellë, morëm lajmin se pak minuta më parë, një bashkëqytetare e jonë është qëlluar për vdekje nga ish bashkëshorti i saj derisa dorasi ka plagosur edhe vëllain e viktimës.

Viktima dhe dorasi po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, derisa dorasi ka shtënë mbi viktimën dhe vëllain e saj si dhe ka kërcënuar me armë edhe punonjësen e këtij institucioni.

Dorasi është arrestuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj, ku me këtë rast i përgëzojmë për efikasitetin e lartë, njëlloj edhe ekipet shëndetësore për reagimin e shpejt e profesional.

Presim nga institucionet e drejtësisë që pas hetimeve, me forcën e ligjit t’i japin dënim meritor dorasit.

Sot, të gjithë të tronditur bashkëndjejmë me familjen e viktimës!

Ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës dhe urojmë shërim të shpejt për të plagosurin!

Top Channel