Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, morën pjesë në ceremoninë për firmosjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, me qëllim ushtrimin e funksioneve të tyre në shërbim të rendit në komunitet, mbrojtjen e shëndetit të njerëzve e sigurisë publike, si dhe disiplinimin, kontrollin dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në Tiranë.
Kreu i Bashkisë shprehu mirënjohjen e tij për efektivët e Policisë së Shtetit dhe ata të Policisë Bashkiake, të cilët janë çdo ditë në terren për sigurinë e qytetarëve të Tiranës. Ndërsa, ministri Balla tha se kjo marrëveshje ka si qëllim rritjen e bashkëveprimit tonë për misionin e përbashkët për të garantuar një Tiranë më të sigurt dhe për ta bërë Tiranën, kryeqytetin kampion jo vetëm në Ballkan, por më shumë se kaq, sa i përket sigurisë.
“Misioni ynë është i përbashkët! Kjo skuadër është skuadra “Tirana”, mes institucioneve që shërbejnë me uniformë, të cilat bëjnë një punë jetike për mbarëvajtjen e qytetit dhe nivelin e sigurisë në Tiran. Jemi një vend ku shteti është shtet, qyteti është qytet, turistët janë turistë, dhe sot Shqipëria është totalisht europiane, falë një rendi dhe sigurie publike model në të gjithë rajonin tonë”, tha Veliaj.
Ai vuri theksin te rëndësia e sigurisë për nxënësit dhe studentët nëpër shkollat e kryeqytetit, duke vënë në dukje faktin se sot Tirana është si nata me ditën, në krahasim me më përpara.
“Në përpjekjet tona për të ndërtuar infrastrukturën shkollore, jo vetëm për llaç e tulla, por kryesisht për të krijuar një habitat, një komunitet të sigurt, unë besoj se Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake kanë rolin kryesor. Nuk janë kangjellat ato që na ruajnë, por janë njerëzit me uniformë, prindërit të cilët e ndjejnë se institucionet shtetërore duhet të japin sigurinë maksimale, për të pasur një komunitet ku fëmijët të rriten të pashqetësuar. Unë jam rritur në një Tiranë kur alarmi për bombë ishte ditor në shkollat tona. Shikoj sot se si Policia e Shtetit, Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake janë në çdo kryqëzim të shkollës, në çdo perimetër, që ndihmojnë fëmijët përdore për të kaluar rrugën, dhe është aty kur mbaron ora e mësimit për t’u siguruar që ne e trajtojmë këtë punë si një familje e madhe dhe jo fëmija e filanit apo fistekut, por si fëmijët tanë të përbashkët. Kjo më bën të ndihem vërtet krenar! Kjo marrëveshje nuk është një marrëveshje rutinë, por një marrëveshje që pulson, jeton dhe prodhon rezultat në qytetet tona”, u shpreh Veliaj.
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Taulant Balla nënvizoi se në këtë marrëveshje bashkëpunimi “kemi parashikuar kalimin te Policia e Shtetit të të gjitha informacioneve, imazheve dhe video në kohë reale të sistemit të kamerave të vendosura në të gjitha kryqëzimet e kryeqytetit. Kjo do të na ndihmojë për të mundësuar identifikimin e shkelësve të Kodit Rrugor”.
Balla paralajmëroi një ashpërsim të ndëshkimeve për drejtuesit e mjeteve që konsumojnë alkool dhe që kapen në flagrancë. “Propozimi im është modeli më i ashpër, një person që kapet në drejtim mjeti në nivel alkooli, që përbën vepër penale duhet konfiskuar mjeti. Një person që kapet në drejtimin e mjetit nën efektin e lëndëve narkotike, e cila përbën vepër penale duhet konfiskuar mjeti,” – u shpreh Ministri i Brendshëm.
Më tej, duke folur rreth penaliteteve që mund të pësojnë drejtuesit e mjeteve që kanë konsumuar alkool, Balla u shpreh se “nëse ke bërë ndërmend, që të shtunën në darkë të dalësh për të shijuar ofertën shumë të pasur tashmë të Tiranës për një jetë nate të niveleve dhe standardeve më të mira në Europë, bëje, por merr taksi! Se po more makinën tënde pasi ke konsumuar alkool, rrezikon shumë shpejt të të marrin edhe mjetin.”
Ministri u ndal edhe në disa pika të tjera të bashkëpunimit mes institucioneve qendrore me ato vendore dhe projekteve të ndryshme që rrokin disa prej çështjeve më me rëndësi në jetën e përditshme të qytetarëve, me theks të siguria publike.
“Dua t’ju informoj se në ligjin e ri për prefektin, ne kemi shtuar një strukturë që ka qenë por jo e institucionalizuar, që është këshilli vendor i sigurisë publike, i cili do të përfshijë të gjitha autoritetet, përfshirë këtu prokurorin, gjykatën dhe shërbimet sociale, dhe që bashkëkryesohet nga Kryetari i Bashkisë e Drejtori i Policisë në mënyrë që të punojnë çdo ditë së bashku për të garantuar një Tiranë më të sigurt” – vuri në dukje ministri Balla.
Sa i përket marrëveshjes, Balla tha se “tek Policia Bashkiake, kemi gjetur një partner të rëndësishëm për të kryer detyrat tona të përditshme, të cilat i kemi në një pjesë të madhe të tyre të përbashkëta dhe sot çelim pra një fazë të re të institucionalizimit të këtij bashkëpunimi mes këtij protokolli kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi mes DPPSH dhe Bashkisë së Tiranës, e cila ka në themelin e vetë ushtrimin e funksioneve në shërbim të rendit në komunitet, të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, të sigurisë publike, në disiplinimin, kontrollimin e rregullave të qarkullimit rrugor.”
Top Channel