Kamioni që përplasi zyrat e patentave në Texas dyshohet si ‘akt kriminal’, thotë sherifi (fotot)

12/04/2024 21:40

Një i dyshuar është arrestuar sot pasi një kamion gjigant komercial me 18 rrota, është përplasur me zyrat e sigurisë publike në qytezën rurale Houston në Texas, duke plagosur 16 njerëz, shumë prej të cilëve në formë serioze.

Zyrtarët thanë se incidenti i rëndë ndodhi në zyrat e agjencisë publike të sigurisë në Brenham, Texas, rreth 120 kilometra në perëndim të Houston.

“Ne besojmë se është një akt kriminal,” tha sherifi vendas Otto Hanak për degën lokale të CNN, KHOU.

Megjithëse zyrtarët njoftonin se “nuk ka rrezik të mëtejshëm për komunitetin”, ata thanë se disa të plagosur kanë plagë të rënda, teksa nuk jepnin detaje të mëtejshme për motivet apo rrethanat e përplasjes.

Ata i kërkonin njerëzve të qëndronin larg zonës për të lejuar ndihmën ndaj të plagosurve dhe hetimet e vendngjarjes.

Zyra e sulmuar në Brenham është pika ku jepen patentat e drejtimit të automjeteve.

Mediat vendore tregonin imazhe të një kamioni të gjatë të ngarkuar me materiale në karrocerinë e hapur, i cili ishte parkuar para ndërtesës, ndërsa kjo e fundit ishte dëmtuar rëndë në pjesën e përparme, me një vrimë të madhe në dukje të shkaktuar nga një përplasje ballore.

Pjesa e përparme e kamionit gjithashtu ishte e dëmtuar dhe e mbushur me mbetje nga dyert e xhamat e zyrave.

Zyrtarët nuk i përgjigjeshin kërkesave për informacione të mëtejshme deri në sqarimin e plotë të rrethanave.

FOTO GALERI
1/5
Zyrtarët thanë se incidenti i rëndë ndodhi në zyrat e agjencisë publike të sigurisë në Brenham, Texas

Top Channel