Roma ia doli me sukses në ndeshjen e parë çerekfinale të Europa League ndaj Milanit, teksa i mposhti kuqezinjtë në San Siro me rezultatin 1-0.
Mjaftoi një gol i Gianluca Mancinit për t’i dhuruar një fitore të rëndësishme kryeqytetasve që janë kështu të avantazhuar për të prerë biletën e gjysmëfinales.
Sakaq, nuk munguan polemikat, të lidhura pikërisht me momentin e shënimit të golit nga Roma, me Milanin që pretendon se aksioni i verdhekuqve nisi nga një pozicion jashtë loje dhe më pas në goditjen e këndit që pasoi, Roma gjeti rruëgn e rrjetës. Këtë e nënvizoi edhe trajneri Stefano Pioli pas ndeshjes, me teknikun e kuqezinjve që gjithashtu pretendoi edhe një penallti për një prekje të topit me dorë nga Abraham.
“Më vjen keq sepse skuadra nuk ishte agresive aq sa duhej. Skuadra nuk zbatoi atë që kishim përgatitur në stërvitje, zhvilluam një ndeshje komplet tjetër nga ajo që kishim planifikuar. Sa i përket arbitrave, nuk më pëlqen të merrem me to. Por, Abraham e preku topin me dorë dhe jo me kokë dhe për të theksuar se goditja e këndit nga ku Roma shënoi golin, “lindi” nga një pozicion jashtë loje.
Në pjesën e parë duhej të shfaqnim më shumë kurajo, krijuam disa raste, por nuk pashë skuadrën e ndeshjeve të fundit. Këta lojtarë mund të bëjnë më shumë se kaq. Sa i takon paraqitjes së Leaos, nuk më shqetëson. Në ndeshjen e kthimit pres më shumë krenari dhe forcë në fushë”, u shpreh Pioli. /Supersport
Top Channel