Përfaqësuesit e QUINT-it dhe Bashkimit Europian në Kosovë përcollën së bashku keqardhjen për deklaratat e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë dhe disa figurave të tjera politike serbe atje për tërheqjen nga zgjedhjet e 21 prillit në komunat veriore, të cilat vendosin shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë të tyre.

Në reagimin e QUINT-it të përbërë prej Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë theksohet se ndonëse votimet e prillit të vitit të kaluar nuk ofruan një zgjidhje politike afatgjatë, “bojkotimi i votimit më 21 prill, nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri”. “Për këtë arsye, i bëjmë thirrje Listës Serbe dhe tjerëve që të rishqyrtojnë pozicionet e tyre”, nënvizohet në deklaratë.

Lista Serbe si dhe komuniteti serb në veri bojkotuan masivisht edhe zgjedhjet e prillit që shkoi, prej të cilave u vendosën në krye të 4 komunave veriore kryetarë shqiptarë. Mes rritjes së vazhdueshme të tensioneve në veri dhe presioni të ndërkombëtarëve, Prishtina zyrtare doli në shtator me një udhëzim administrativ që parashikonte largimin e një kryetari nga posti i tij.

Lista Serbe u duk se u bind, e madje mori pjesë edhe në hapat e parë të iniciativës së mbledhjes së firmave për largimin e kryetarëve, megjithatë së fundi ndryshoi qëndrim e deklaroi se nuk do të nuk do të marrë pjesë në votimin e caktuar në prill në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposavic dhe Zubin Potok me pretendimin se procedurat e planifikuara janë “të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”.

Top Channel