Inside Story/ Minatorët duhet të mbyllin gojën për mineralin sekret, çfarë zbulojnë matjet sot në galeritë e Nimçës për uraniumin

10/04/2024 21:23

Jo vetëm ata që punuan në minierë humbën jetën në një moshë të hershme, por edhe fëmijët lindën me probleme të ndryshme shëndetësore, duke filluar me probleme të shëndetit mendor.

Atëherë, kur vendoste partia e të gjithë bindeshin, askush nuk e dinte se sa I rrezikshëm ishte minerali që kërkonin. Nuk i dinin as emrin.
‘Punonjësit merrnin 70 lekë ne ditë për ushqimin, çdo ditë edhe ditët e pushimit, 4 kostume blu xhins ne vit, 4 palë çizme, 4 këmisha, 4 palë brendshme në vit, pra ishte një trajtim i mirë. pas punë punëtorët hiqnin rrobat i linin aty, vishnin rroba të tjera… kur vinin i gjenin të lara të thara e të sigurisë… kjo ishte … gjithçka është në rregull’ u shpreh gjeologu, Gëzim Shima.

Procesi i kërkimit u përfshi nga një mister, siç ishte dhe vetë ajo periudhë. Njerëzit mes njëri tjetrit përsërisnin se edhe muret kanë veshë. Në fshehtësi të plotë u hartua plani i detajuar me ekspertët vendas dhe të huaj. Minatorët u joshën me pagesa të larta, por asnjë prej tyre nuk e dinte se çfarë rreziku iu kanosej. Në rreth të ngushtë ishte vendosur që ata që do të punonin në minierë do të kishin të paktën tre fëmijë dhe do t’iu nënshtroheshin disa rregullave të forta, por udhëheqësit e dinin se cili do të ishte fundi i minatorëve.
‘Gjithë shqiptarët punon në punë shteti por jo të gjithë bënin llafe në shtëpi duke treguar historira punë’ u shpreh gjeologu, Gëzim Shima.

Vetë punëtorët e këtyre galerive, flisnin për një mineral, por asnjëherë nuk përmendej emri. Këtu jemi në Nimçë së bashku me gjeologun Gëzim Shima, në zonën kur dikur ishin galeritë e uraniumit. Të gjitha janë të mbyllura. Siç tregojnë banorët janë izoluar me beton hyrjet duke shmangur çdo mundësi që diksuh të tentojë të afrohet. Pranë galerive, rreth 300 metra ndodhen tre shtëpi në të cilat ka banorë. Gjeologu Shima kujton bashkëpunimin me specialistët kinezë.
‘Ekspertet e huaj ishin specialistët kinezë nëpërmjet gjuhës ruse, ishte një përkthyes që ua përkthente rusisht fjalët e tyre kinezçe shqiptarëve’ u shpreh gjeologu, Gëzim Shima.‘Ato përshëndeteshin, edhe punëtorët i përshëndesnin, edhe bisedonin por nuk kuptoheshin, informacione nuk kërkonin se e dinin që nuk do të merrnin dot gjë, sepse kishte një dëshirë për të biseduar më tepër se duhet nga të dyja anët’ u shpreh gjeologu, Gëzim Shima.

Për të kuptuar nëse ka ende gjurmë të iraniumit, gjeologu Shima bëri disa matje konkrete në terren. Rezultoi se radioaktiviteti ishte 0.19 bekerel, një shifër e ulët, e papërfillshme siç e cilësoi ai. Norma e lejuar është 30 bekerel. Kjo tregon se nuk ka rrezik radioaktiviteti në zonë, por, zbulon gjurmët e uraniumit.

Top Channel