Inside Story/ Episodi befasues që trembi inxhinierët kinezë, galeritë e rrezikshme qëndrojnë ende të hapura në Muhur

10/04/2024 22:16

Në këtë galeri, para së cilës ndodhet djali i Ibrahim Vokës ka ndodhur një ngjarje e cila i ka bërë të dyshojnë punëtorët për mineralin që kërkohet.

Ekspertët kinez të pajisur me mjetet mbrojtëse dhe aparatura kanë vendosur një pajisje në ballë të galerisë dhe menjëherë ajo është djegur. Në këtë çast galeria është mbyllur dhe është konsideruar e rrezikshme. Melaimi, kujton bisedën e babait të tij me një nga drejtuesit e ekipit i cili ishte shqiptar.

“Biseda, djegia e aparatit, vapori një muaj në det, Amerikë më kujtohet se kam qenë me babën këtu, gjeologu ka ardh këtu me aparat atë ditë ka vendos aparatin në ball të galerisë dhe aparati u dogj, nxori tym, tha babi përse u dogj, jemi afruar afër mineralit dhe u vendos mbyllja, iu vendos një kryq në galeri…” u shpreh Melaim Voka, familjar minatori.

Kjo galeri, sot e zbuluar nga shembjet në atë kohë frikësoi ekspertët të cilët ndaluan hyrjen e punëtorëve. A është e rrezikshme? Në të shkuarën konsiderohej e tillë por çuditërisht sot qëndron e hapur.

Kjo nuk është e vetmja galeri e rrezikshme. Një tjetër, ndodhet në këtë zonë pranë përroit të Lekajve. Banorët tregojnë një histori të ngjashme me galerinë që ndodhet në Bufull për të cilën ju folëm pak më herët. Këtu kanë nisur punimet dhe kjo është hapur e para nga punëtorët.

“Galeria e parë në këtë zonën që … është kjo galeri këtu. 6-7 sonda kanë qenë këtu, më pas kanë hapur këtë galeri, kanë hasur në uranium dhe e kanë ndërprerë punën, kanë hapur tunele të tjera ky tuneli ka qëndruar deri vonë, ka qenë kuota e fundit më pas ka ardhur kinezi dhe e ka shfrytëzuar, kanë punuar shumë por asnjë nuk jeton sot”, u shpreh Ramadan Leka, banor i Muhurit.

Brenda ka tre tunele që shkojnë në drejtime të ndryshme. Po në atë zonë më lart ishin dhe 2 galeri të tjera. Pranë tyre ka shtëpi banimi. Ramadan Leka, i cili ka shtëpinë në kodër, pranë këtyre galerive tregon se si nga miniera dilnin mbetje të rrezikshme. Ai e shpjegon me faktin se në këtë përrua më parë kishte peshq, por pas hapjes së galerisë e deri më sot nuk ka më asnjë gjallesë.

Top Channel