Katër punonjës të Bashkisë Korçë, Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Sektorit të Kontrollit të Zhvillimit të Territorit që merren me shqyrtimin e kërkesave për leje (deklarata, leje zhvillimi, leje ndërtimi, deklarata paraprake, certifikata përdorimi) pranë Bashkisë Korçë, u pezulluan nga detyra dhe ndaj tyre u caktua masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Zyrtarët e pezulluar nga detyra dyshohet se kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme me qëllime përfitimi individual subjekte apo persona të veçantë duke llogaritur në mënyrë të paligjshme taksën e infrastrukturës për ndërtimet e reja dhe komplekset luksoze në lagjet 1, 2, 3, 11 dhe 12 të qytetit.
Duke vepruar në kundërshtim me ligjin, personat nën hetim kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë dëmtuar rëndë interesat e shtetit.
Për rrjedhojë, dje më 9 prill, u ekzekutua vendimi për caktimin e masave të sigurisë “Detyrim Paraqitje” dhe Pezullimi i ushtrimit të një detyre a funksioni publik” ndaj zyrtarëve:
1. Zh. L., lindur dhe banues në Korçë, me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Bashkia Korçë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
2. E. G., lindur dhe banues në Korçë, me detyrë e Përgjegjës i Sektorit pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Bashkia Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
3. O. P., lindur dhe banues në Korçë, me detyrë specialist i Buxhetit, si dhe në cilësinë e specialistit të përllogaritjes së taksës së ndikimit të infrastrukturës, Bashkia Korçë, i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; dhe
4. S. P., lindur dhe banues në Korçë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, Bashkia Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Top Channel