Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Uashington, në kuadër të përpjekjeve për të nxitur miratimin e një pakete të re ndihmash për Ukrainën, që është bllokuar prej kohësh në Kongres.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, para takimit në Departamentin e Shtetit, shefi i diplomacisë britanike u takua gjithashtu me ish-Presidentin, Donald Trump në Florida.
Rusia ka intensifikuar sulmet e saj me raketa dhe dronë në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, ku si pasojë të dielën u plagosën katër persona.
Në këtë pikë kritike të luftës, Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron erdhi në Uashington për t’u takuar me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe për t’u bërë thirrje ligjvënësve republikanë që të zhbllokojnë ndihmën amerikane për Ukrainën. Zoti Cameron tha se kjo është një çështje shumë e rëndësishme.
“Do të ketë njerëz në Teheran, Phenian dhe Pekin që do të shohin se sa afër u qëndrojmë aleatëve, si i ndihmojmë ata, si e ndalojmë agresionin e paligjshëm dhe të paprovokuar dhe do të kuptojnë nëse jemi të përkushtuar dhe të gatshëm për ta tejkaluar atë. Jam këtu për të ofruar mendimin tim, të takohem me këdo që dëshiron të diskutojë me mua rreth kësaj çështjeje”, tha zoti Cameron.
Nga ana e tij, Sekretari Blinken u bëri thirrje udhëheqësve republikanë në Kongres që ta sjellin për votim ndihmën për Ukrainën sa më shpejt që është e mundur, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë ndarë barrën me aleatët e tyre në përpjekjet e luftës.
“Shtetet e Bashkuara kanë bërë gjëra të jashtëzakonshme për Ukrainën. Partnerët tanë evropianë dhe të tjerët përtej Evropës në mbarë botën kanë bërë edhe më shumë gjatë dy viteve të fundit, përmes mbështetjes ushtarake, ekonomike dhe humanitare. Pra ka një ndarje të vërtetë të barrës dhe ne duhet të vazhdojmë të bëjmë atë që na takon”, tha zoti Blinken.
Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ka refuzuar të çojë për votim në Kongres projekt-ligjin për fondet e reja të sigurisë, ku përfshihen 60 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën. Ligjvënësja Marjorie Taylor Greene ka kërcënuar të kërkojë shkarkimin e zotit Johnson nëse ai lejon votimin e paketës.
Sekretari Cameron pranoi se pati një takim privat me zotin Trump të hënën në Florida, pa dhënë ndonjë hollësi. Ai tha se takimi i një diplomati të huaj me udhëheqësin kryesor të opozitës ishte vendim i duhur.
Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se zoti Trump ka ndikim të madh në votën e republikanëve në Kongres, edhe kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.
“Mendoj se ai është figura kryesore. Nëse ai do të sinjalizonte miratimin e paketës së ndihmës, mendoj se rezistenca e disa dhjetëra republikanëve që po kundërshtojnë në mënyrë aktive ndihmën për Ukrainën do të thyhej”, thotë Michael Kimmage nga Universiteti Katolik i Amerikës.
Zoti Kimmage i tha Zërit të Amerikës se vizita e Sekretarit Cameron i kujtoi propozimet personale të Presidentit francez Emmanuel Macron dhe të tjerëve ndaj zotit Trump, duke thënë se takimet private janë më të efektshme për të përcjellë një mesazh, sesa leksionet publike./VOA
Top Channel