30 vite nga masakra e Peshkëpisë, inaugurohet memoriali në nderim të kapiten Fatmir Shehut dhe Arsen Gjinit

10/04/2024 23:04

Në këtë 30-vjetor të masakrës së Peshkëpisë, është inauguruar ditën e sotme memoriali në nderim të kapiten Fatmir Shehut dhe Arsen Gjinit, të cilët u vranë nga ekstremistë grekë teksa ndodheshin në krye të detyrës.

Inagurimi i memorialit, i vendosur pranë ish-repartit ushtarak, u bë sot në një ceremoni me pjesëmarrjen e autoriteteve lokale në Gjirokastër dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme e Policisë së Shtetit.

Për masakrën e Peshkëpisë mes personave të dyshuar si të përfshirë është edhe Fredi Beleri. Hetimet u rihapën 5 vite më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por u pushuan më pas.

Si ndodhi masakra e Peshkëpisë

Më 30 prill 1994 një skuadër e armatosur me ekstremistë grekë, pjesë e organizatës MAVI, e ashtuquajtura “Fronti për Çlirimin e Vorio-Epirit”, e shpallur si organizatë terroriste në Greqi, kaluan kufirin mes dy vendeve dhe sulmuan repartin ushtarak shqiptar në fshatin Peshkëpi.

Ata vranë pabesisht Fatmir Shehun dhe Arsen Gjinin, si dhe plagosën ushtarë të tjerë. Pasi iu morën armët, skuadra terroriste greke u largua sërish drejt Greqisë.

Autorëve të sulmit të quajtur organizata “MAVI”, u janë gjetur armët e grabitura të postës kufitare dhe janë dënuar nga drejtësia greke vetëm për “armëmbajtje pa leje”.

Organizata ‘MAVI’ njihet si organizatë terroriste në Greqi.

Pse dhe si ndodhi masakra? Ja çfarë rrëfen ish-deputeti dhe diplomati Esat Myftari:

Kah fundi i vitit 1993, në Greqi u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat doli fitues Pasoku. Riardhja e kësaj force politike në pushtet, u prit mirë nga qeveria demokratike shqiptare, sepse ajo përkapej si ma konstruktive në krahasim me shemrën e saj, Demokracia e Re. Kjo e fundit, gjatë krizës së vitit 1993, kur qe dëbue prifti Krisostomos nga Shqipnia për shkak të aktivitetit të tij shovinist, fillimisht në Seminarin Ortodoks të Durrësit e, ma vonë, edhe në tri famullit shqiptare të Jugut, qe tregue shumë ekstremiste dhe iracionale.

Për ma tepër, si kundërpërgjigje, në prag të largimit nga skena politike, kryeministri Mitsotakis, do të shpallte 6 pikat e 14 korrikut 1993, në trajtën e njw porosie testamentare ndaj vendit tonë.

Sensacion të veçantë ndër këto pika pati përftue kërkesa e tij që shteti shqiptar, t’i lejonte shtetasit e vete me e zgjedhë vetë përkatësisë e tyne kombëtare dhe që pakicës greke në Shqipni, t’u jepeshin ato të drejta që qeveria shqiptare mëtonte për kosovarët.

Në këto rrethana, ishte krejt e përligjun shpresa jonë se, tash e mbas, për njw periudhë të pacaktueme, do të gjindeshin formulat e përshtatshme për normalizimin e marrëdhwnieve të ndërsjella dhe zhvillimin e tyre të matejshëm. Por, për fat të keq, zhvillimet imediate të ngjarjeve do të provonin të kundërten.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA