Dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, deputetët e PS nuk paraqiten sërish. Vokshi: Do kërkojmë përjashtimin e tyre

09/04/2024 10:35

Mbledhja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë. ka dështuar sërish. 

Kjo sepse deputetët e PS nuk janë paraqitur sërish në mbledhjen e thirrur nga Albana Vokshi.

Në mbledhjen e pak ditëve më parë, përmes një shkrese zyrtare, Partia Socialiste i është përgjigjur opozitës, pas bojkotit, duke deklaruar se Komisioni Hetimor për Check-up nuk ka arsye të mblidhet deri në hartimin e këtij plani hetimor.

Në këtë komision pritej që të miratohej plani i hetimit 3 javor si edhe kërkesat për informacion. Kjo është hera e tretë që anëtarët e mazhorancës në këtë komision zgjedhin të mos marrin pjesë.

“Nëse mungojnë tri herë radhazhi duhen shkarkuar dhe duhen zëvendësuar me të tjerë. Kjo është hera e tretë që 8 deputetë mungojnë në mënyrë të paligjshme dhe do i dërgojmë kryetares së Kuvendit që të marrë masa”, tha Vokshi.

Seanca e radhës do të mbahet të premten, ku sipas deputetes, do të listohen shkeljet ligjore që nga mbledhja e parë, e mazhorancës që kanë bojkotuar komisionin hetimor.

“Shpërdorim i përgjegjësive nga kuvendi i Shqipërisë, kjo nuk është një pamje normale, që mazhoranca të bojkotojë vendimmarrjen e kuvendit të Shqipërisë, atë që ke votuar vetë. Po përpiqen të fshehin një aferë 200 mln euro. Kanë harruar që e vërteta vonon, por nuk harron”, tha deputetja Ina Zhupa.

Top Channel