Mbyllet një tjetër fundjavë pozitive për legjionarët kuqezi.
Gola, asiste, paraqitje mjaft të mira e vlerësime të larta kanë marrë disa prej lojtarëve shqiptarë që aktivizohen në kampionatet jashtë vendit. Nedim Bajrami ishte një prej protagonistëve kryesor në kampionatin italian. Mesfushori kuqezi shkëlqeu në fushë me Sassuolon në ndeshjen ndaj Salernitana, teksa fillimisht asistoi për golin e parë që u shënua nga Lauriente dhe në fundin e pjesës së parë Bajrami gjeti edhe rrugën e rrjetës duke i çuar shifrat në 2-0 për Sassuolon.
Në përfundim ai u vlerësua si lojtari më i mirë në fushë me notën 8.5. Në Turqi, Rey Manaj shënoi golin e vetëm në takimin Sivasspor – Karagumruk dhe i dhuroi fitoren skuadrës së tij. Sulmuesi kuqezi arriti kuotën e 16-të golave në kampionat, teksa më mirë se ai kanë bërë vetëm Mauro Icardi (18) dhe Edin Dzeko (19).
Këtë javë në kampionatin turk shkëlqeu edhe Odise Roshi. Mesfushori kuqezi ishte protagonisti për skuadrën e tij në fitoren 2-0 ndaj Buluspor. Fillimisht Roshi shërbeu saktë për shokun e skuadrës në minutën e 3-të të takimit kur u shënua goli I parë, ndërsa në fundin e 45 minutave gjeti edhe rrugën e rrjetës duke vulosur fitoren 2-0 të Sakaryaspor. Pas përfundimit të ndeshjes, Roshi u vlerësua edhe si lojtari më i mirë me notën 8.6. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, rrugën e rrjetës e gjeti edhe Taulant Seferi.
Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Berat Gjimshiti, Enea Mihaj, Frederic Veseli, Jon Mersinaj, Ylber Ramadani, Myrto Uzuni, Ernest Muçi, Arbnor Muçolli dhe Sokol Cikalleshi, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Marash Kumbulla, Mario Mitaj, Keidi Bare, Arbnor Muja, Jasir Asani dhe Armando Broja.
Top Channel