“Iberia” zbarkon në Shqipëri, kompania më e madhe e fluturimeve spanjolle, udhëtime direkt tre herë në javë nga Madridi

07/04/2024 20:14

“Viti duket se ka filluar mbarë, me rreth 2 milionë turistë që kanë vizituar deri më tani vendin tonë. Duke parë fluksin e turistëve nga Spanja, prej disa ditësh ka nisur të operojë linja më e madhe ajrore spanjolle “Iberia”, me fluturime direkt 3 herë në javë nga Madridi për Tiranë”.

Ky partneritet u përshëndet nga një delegacion i lartë i turizmit spanjoll, që mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Drejtori Operacional i Aeroportit, Piervittorio Farabbi, e cilësoi Aeroporti Ndërkombëtar të Tiranës si motorrin e zhvillimit të turizmit në Shqipëri.

“Ardhja e Iberias nuk sjell vetëm turistë nga Spanja, por nga e gjithë bota, nëpërmjet Madridit si qendër lidhëse, sepse kjo Iberia operon në shumicën e vendeve të botës”.

lvaro Renedo Zalba, Ambasadori i Spanjës për Shqipërinë pohoi se ky zhvillim do të forcojë marrëdhënien Shqipëri – Spanjë në një aspekt strategjik, siç është turizmi.

“Jam i bindur se kjo linjë do të vazhdojë të ndikojë në rritjen e madhe të numrit të turistëve nga Spanja. Faleminderit për këtë urë të rëndësishme mes Spanjës dhe Shqipërisë”.

Delegacioni spanjoll kryesohej nga Z. Felix de Paz Zalba, Kreu i Tour Espagna, Agjensia Kombëtare e Promovimit të Turizmit në Spanjë.

“Ardhja e Iberia në Shqipëri është domethënëse sepse është një prej linjave ajrore më të mëdha në botë. Avioni me të cilin erdhëm nga Madrid ishte plot, dhe kjo tregon shumë që epoka e re e turizmit është tashmë një fakt”.

Në emër të qeverisë shqiptare, Drejtori i Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj falenderoi kompaninë Iberia si një lidhje e rëndësishme me Europën.

“Faleminderit Kontrollit Ajror dhe Aeroportit që i përgjigjen me infrastrukturë rritjes së turizmit në Shqipëri. Më shumë turistë do të thotë më shumë fluturime, më shumë kapacitete, më shumë vende të reja pune dhe sigurisht rritje ekonomike për vendin”.

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA