Në Shqipëri po rriten frikshëm shifrat e prekurve nga kanceri kolorektal apo i zorrës së trashë siç njihet ndryshe.
Sipas ekspertëve të shëndetit ka një dyfishim të rasteve të reja që diagnostikohen në vit. Madje po haset edhe në mosha të reja. Incidenca përllogaritet të jetë 9.7 për 100 mijë persona.
“Nga 300 raste që kapnim në vit para dhjetë vitesh, tanimë janë 560 raste të reja”, tha mjekja Albana Ylli.
Kanceri kolorektal prek më së shumti meshkujt por ai po haset shpesh edhe gratë për shkak të stilit të jetesës dhe ushqimeve që po konsumohen.
“Konsumimi i mishit të përpunuar, mishit të kuq , alkooli, duhani, mungesa e fibrave nëpër ushqime, mungesa e aktivitetit fizik”, janë shkak i këtij kanceri”, tha mjekja.
Analiza e feçes dhe chek-up i përvitshëm si dhe një kolonoskopi një herë në 5 vjet do të ndihmonin në kapjen në kohë të kancerit kolorektal.
Top Channel