Fëmijët afganë mësojnë në shkolla të improvizuara, gjashtë muaj pas tërmetit shkatërrimtar (fotot)

06/04/2024 18:32

Disa muaj pas tërmetit që shkatërroi krahinën afgane të Herat, fëmijët atje zhvillojnë mësimin në klasa të improvizuara në konteinerë, duke u përballur me trazira në orët e mësimit dhe pasiguri për t ardhmen, shkruan rrjeti turk TRTWorld.

Fëmijët shihen të ulen sup më sup me njëri-tjetrin në dyshemenë e konteinerit me libra e pena në prehër, pasi shkolla e tyre e dëmtuar nuk është riparuar.

Qindra shkolla janë ende të dëmtuara nga tërmeti shkatërrimtar i tetorit ku u vranë të paktën 1500 njerëz, ndërsa mësimi në konteinerë ka nisur vetëm muajin që shkoi.

Djemtë e vajzat në fshatin Nayeb Rafi mësojnë në konteinerin e mbushur, mes tendave dhe disa shtëpive të vogla të ndërtuara së fundmi në një copë toke të shkretë.

“Dua të mësoj, dua të kem një shkollë dhe të bëhem mësuese për shokët e mi”, thotë 11-vjecarja Siyah Gul.

Ajo thotë se kërkon të mësojë sa më shumë para se mësimi të ndalohet nga rregullat e qeverisë talibane që nuk lejon arsimin e mesëm për vajzat e gratë.

Përveç viktimave të shumta tërmeti shkatërroi dhe rreth 63,000 shtëpi në krahinën e largët e të varfër, sipas një llogaritjeje të OKB në shkurt. Shumë njerëz ende jetojnë në tenda e streha të përkohshme.

Arsimi ishte një nga sektorët më të prekur nga katastrofa me rreth 300 shkolla publike të dëmtuara dhe rreth 180,000 nxënës që përballen me mungesa në mësime.

FOTO GALERI
1/3
Disa muaj pas tërmetit që shkatërroi krahinën afgane të Herat, fëmijët atje zhvillojnë mësimin në klasa të improvizuara në konteinerë

Top Channel