Transferimi i të burgosurve shqiptarë, ambasadori anglez takon ministrin Ulsi Manja dhe drejtorin e burgjeve

05/04/2024 21:44

Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King Smith është takuar sot me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja dhe drejtorin e ri të Përgjithshëm të Burgjeve Klevis Qose të cilin e uroi për emërimin e tij.

Në një postim të bërë në facebook, ambasada britanike bën me dije se gjatë takimit u diskutua për ekspertizën e ofruar nga britanikët për modernizimin e burgjeve në Shqipëri.

Top Channel mëson gjithashtu se në këtë takim është folur edhe per tranferimin e shqiptarëve nga burgjet angleze në ato shqiptare.

Deri më tani janë në proces shqyrtimi nga gjyjatat shqiptare të njohjes së vendimeve për 80 të dënuar që kanë aplikuar për të vuajtur vijimin e dënimit në shqipëri. Mes tyre edhe dy shqiptarë të dënuar në angli për vrasje.

“Ambasadori britanik, Alastair King-Smith takoi ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose. Ai e uroi Z.Qose për emërimin e tij. Ata diskutuan mbi përparimin e vazhdueshëm të ekspertizës britanike për modernizimin e burgjeve në Shqipëri dhe përmirësimin e sigurisë, përfshirë edhe në burgun e ri të grave në Pogradec, si edhe asistencën teknike për sistemin e burgjeve shqiptare. Takimi rikonfirmoi programin efektiv të angazhimit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit për reformën e burgjeve dhe atë të gjykatave”– njofton ambasada.

Top Channel