Tiranë-Durrës, 8 korsi në total/ Hapen tenderat për zgjerimin e disa akseve, dyfishohet kapaciteti i autostradës

05/04/2024 19:52

Siç ishte parashikuar në planin e investimeve publike në Buxhetin e këtij viti ka nisur puna për zgjerimin dhe shtrimin e disa akseve të rëndësishme infrastrukturore.

Autoriteti Rrugor ka hapur tenderat për Lotin 1 dhe 2 për zgjerimin me vlerë 32.4 milionë euro për zgjerimin e autostradës Tiranë -Durrës. Ajo do të bëhet me katër korsi nga të dyja krahët, ndërsa shpejtësia maksimale e projektuar arrin deri në 140km/h. Punimet për këtë projekt pritet të zgjasin deri në 24 muaj pas lidhjes së kontratës.

Ndërkohë një tjetër projekt i rëndësishëm rrugor është rehabilitimi i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa me fondin limit 7.3 milion euro, që do të shërbejë si një alternativë për të udhëtuar drejt Durrësit. Në këtë aks rrugor Banka Botërore ka financuar edhe rehabilitimin e urës së Beshirit.

Një tjetër projekt rrugor për të cilin është hapur tenderi në Lotin e I në vlerën 18.5 milion euro është aksi Berat – Ballaban, i cili do të shmangë rrugën e vjetër aktuale që të dërgon për në Këlcyrë, e më pas Përmet, duke hapur një korridor të ri në Jug të vendit.

Gjithashtu edhe rruga e Ksamilit do të zgjerohet, ndërsa tenderi është hapur nga ARRSH me fond limit 16.2 milion euro dhe me afat dy vite, për një aks që lidh Sarandën me ishullin dhe parkun e Butrintit.

Ndërkohë me shpejtësi vijon dhe procedura për të gjitha lotët e zgjerimit të rrugës Elbasan – Qafë Thanë të korridorit të 8-të që na lidh me Maqedoninë e Veriut, me ARRSH që ka hapur tenderin edhe për katër fazat e tjera me fond limit rreth 96 milion euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA