Ndahet nga jeta në moshën 55-vjeçare, gazetari i mirënjohur i kronikës së zezë Zamir Dule.

Gazetari ka ndërruar jetë në një spital privat në Tiranë, ku ndodhej i shtruar pas ndërhyrjes kirurgjikale së cilës iu nënshtrua. Dule do të prehet në vendlindjen e tij në fshatin Miras të Korçës, ndërsa lajmi i hidhur është mësuar nga familjarë të të ndjerit.

Zamir Dule, ka kontribuar jo pak gjatë viteve të tij të punës.

Në vitin 1994, ai erdhi në Tiranë ku mbuloi po sektorin e kronikës për policinë, prokurorinë dhe gjykatën. Ai arriti kulmin në karrierën e tij në vitin 1996, kur shkroi edhe librin “Përbindëshi i Tropojës”.

Zamiri u tërhoq nga profesioni pasi u dhunua barbarisht nga policia e ish- presidentit demokrat Sali Berisha në marsin e vitit 1997. Ai u shoqërua në polici ku u torturua e për pasojë pati edhe probleme të shëndetit mendor.

Qeveria e kryeministrit socialist Fatos Nano i akordoi gazetarit Zamir Dule pension special, në shenjë vlerësimi për punën në kushte të përndjekjes dhe sidomos për torturimin e tij nga struktura policore.

Pas largimit nga gazetaria Dule u zhvendos në Korçë, ku jetonte me vëllanë në vendlindjen e tij, fshatin Miras të Devollit. Shëndeti i tij është përkeqësuar vazhdimisht.

Top Channel