Amnistia pret firmën e Presidentit! Avokati: Përfitojnë edhe të dënuarit për korrupsion, zyrtarët e niveleve të ulëta në administratë

05/04/2024 15:21

Në ditët në vazhdim nga dera e burgut 313 në Tiranë, pritet të dalin e t’i rikthehen lirisë rreth 40 të burgosur.

Për ta dhe 660 të tjerë kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur presidenti i Republikës, Bajram Begaj, do të hedhë firmën e dekretimit të ligjit të amnistisë, miratuar të enjten nga parlamenti.

Me 110 vota pro, 1 abstenim dhe me vetëm një kundër, u miratua ligji për amnistinë. Socialistët dhe grupi i deputetëve të rithemelimit pas disa muajsh negociata, arritën dakordësinë. Përfitojë nga amnistia ulje dënimi edhe 400 të burgosur të tjerë. Ndërkohë Top Channel mëson se juristët e burgjeve në të gjithë vendin kanë nisur përpilimin e shkresave të lirimit për përfituesit. Avokati Saimir Vishaj e quan të vonuar këtë amnisti dhe e vlerëson si tejet të nevojshme në aspektin social.

“Këta që përfitojnë sot nga amnistia kanë disa vite që nuk kanë parë fëmijët për shkak të pandemisë që ra. Për mua është një ditë e veçantë dalja e amnistisë ku të burgosurit apo të dënuarit do të ri takohen me familjarët dhe fëmijtë e tyre”, tha avokati Saimir Vishaj.

Kufizimet e kësaj amnistie thotë avokati Vishaj janë të duhurat.

“Amnistia është pa emra por ajo që ka bërë parlamenti është një zgjidhje e drejtë duke përjashtuar nga amnistia të gjithë personat e dënuar nga Gjykata Kundra Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo do të thotë se të gjithë subjektet që janë subjekte të deklarimit të pasurive apo drejtora drejtorie, zëvendës ministra, ministra e zëvendës kryeministra të hetuar apo të dënuar nga SPAKU dhe GJKKO-ja nuk përfitojnë. Kjo është ajo e veçanta e kësaj amnistie”, shtoi avokati.

Megjithatë përfitojnë nga kjo amnisti, zyrtarë publik të niveleve të ulëta, kryesisht anëtarë komisionesh në tendera.

Mbipopullimi i burgjeve thekson Saimir Vishaj nuk zgjidhet përmes amnistive.

“Ne e kemi si modalitet nga gjykatat shqiptare që për çdo gjë themi burg, burg, burg por nuk është burgu mjeti fundit për të cilin duhet të ndëshkohet për veprim të kundërligjshëm. Burgu jepet për ata ku çdo lloj masë sigurimi është e pa-përshtatshme në raport me veprimin e kryer”, tha Vishaj.

Top Channel