Kuvajtjanët votojnë në zgjedhjet e treta parlamentare në tre vjet (fotot)

04/04/2024 19:19

Megjithse të lodhur tashmë nga zgjedhjet, kuvajtjanët janë duke votuar sot për herë të tretë në po aq vjet.

Disa muaj pas ardhjes në post të emirit të ri, kriza politike duket se nuk po mbyllet në vendin e vogël eksportues nafte.

Kuvajti është anëtar i grupit të eksportuesve të naftës OPEC dhe llogaritet se ka shtatë përqind të rezervave botërore, ashtu si dhe parlamentin më të fuqishëm mes vendeve të Gjirit Persik.

Disa përplasje të asemblesë së zgjedhur me kabinetin qeveritar të emëruar nga familja mbretëtore po shkaktojnë pengesa në kalimin e disa reformave të kërkuara.

“Këto zgjedhje janë ndryshe,” thotë ish-punonjësja e shëndetësisë Sheika Yaqoub Al-Aziz për rrjetin AFP, pasi hedh votën në pikën e votimit vetëm për gra në Jabriya.

“Shpresojmë që të punohet për interesat e vendit , ashtu si vendet e tjera të Gjirit, të shtohen shërbimet”, thotë gruaja.

Rreth 835,000 votues duhet të zgjedhin 50 deputetë nga 200 kandidatë mes të cilëve dhe 13 gra, në zgjedhjet e dyta në Kuvajt që zhvillohen gjatë muajit të shenjtë musliman të Ramazanit.

“Pjesëmarrja në politikë në Kuvajt është shumë më e madhe se vendet e rajonit”, thotë  profesori i Universitetit të Kuvajtit, Bader al-Saif.

“Sistemi kërkon rinisje për kalimin e reformave dhe fakti që aftëson qytetarët të shprehen për qeverisjen, e bën ndryshe nga të tjerët”.

Sheikh Meshal, ish-princi i kurorës erdhi në pushtet në dhjetor në moshën 83 vjeçare pas vdekjes së gjysmë-vëllait të tij Sheikh Nawaf.

Por qeveria e tij u shpërnda në shkurt pasi qeveria akuzoi kryeministrin për gjuhë ofenduese ndaj emirit.

Zgjedhjet e sotme janë të tretat prej vitit 2022, dhe parlamenti i dalë prej tyre duhet të aprovojë princin e emëruar të kurorës nga Sheikh Meshal, që do të jetë emiri ardhëm i vendit.

Kuvajtjanët janë një minorancë në vendin prej 4.3 milionë banorë me shumicë të huaj.

FOTO GALERI
1/5
Megjithse të lodhur tashmë nga zgjedhjet, kuvajtjanët janë duke votuar sot për herë të tretë në po aq vjet.

Top Channel