“Dosja ishte arkivuar me urdhër politik”, Majko përplaset me Nokën: Të të përgënjeshtrosh ty është më shumë se humbje kohe

04/04/2024 14:09

Emërtimi i SPAK, si “organizatë kriminale” nga deputeti demokrat Flamur Noka shkaktoi debat mes tij dhe socialistit Pandeli Majko.

Noka shprehet se dosja e Xibrakës që sipas tij është i përfshirë vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, ishte arkivuar me urdhër politik.

Noka: Në të gjithë dosjen që ishte arkivuar me urdhër politik, vetëm njëri i moshës 45 vjeç me flokë të shkurta, nuk ishte identifikuar. Kur policia sheh që në një grup është një i paidentifikuar. Pika e parë ta kërkojnë në sistem fotografinë e personit, e dyta ta kërkojë. Të gjithë u evidentuan, vetëm njëri jo. Mos vallë ishte ky një deputet me imunitet.  Kush ishte? Po jua them unë. Person nga grupet e vëzhgimit është identifikuar, por kur u pa se kush është dhënë urdhrit të shpallet i paidentifikuar, dhe ai është i vëllai i kryeministrit. Këtë se thotë as Bardhi, as Noka asnjë deputet i P, e thonë të dhënat e TIMS. Personi që drejtonte makinën më 13 janar 2015 ishte Olsi Rama, personi që e drejtonte i gjithë grupi, ishte Olsi Rama. Ky nuk identifikohej dot. Kjo tregon asgjë më shumë që ju si qeveri jeni organizatë kriminale, funksioni si e tillë. Tani kryeministri, i kapur në çark, nuk denjon të vijë të japë llogari, të përgjigjet. Mirë ne që paskërkeshim ngrënë molla dardha kumbulla pas shpinës së kryeministrit, por edhe vëllai pas shpine po t’i haka kumbullat dhe dardhat more zotëri. A mban dikush përgjegjësi për këtë? Po për këtë dosja që është arkivuar edhe me prova të gjalla, ato dy prokurorë a duhet të mbajnë përgjegjësi? Apo lart e ma lart.

Majko: Dëgjova me vëmendje numrin dy të fraksionit kryesor të PD-së duke përsëritur që SPAK është një organizatë kriminale dhe pastaj vazhdoi duke thënë që edhe ty Majko SPAK për një bisedë telefonike të regjistruar me 300 mijë dollarë etj etj , euro më fal, e bëjmë edhe 3 mln nuk ka problem. Kjo organizatë kriminale më ka mbyllur dosjen, dmth unë miqësisht edhe si koleg, se na solli koha në këtë sallë, si mendoni ju se zgjidhet drejtësia. Prokurori i Përgjithshëm sipas fjalëve të numrit 2 të PD në shumicë, thotë që ka shitur dosjen e vëllait të kryeministrit ndaj është vërë Prokuror i Përgjithshëm. Jeni thjesht një grup anti-sistem. Ca doni këtu ju? Si e keni mor miqtë e mi? Flamur, unë nuk të përgënjeshtroj se je i papërgënjeshtrueshëm. Je i papërsëritshëm në ato që thua Të përgënjeshtrosh ty është më shumë se një humbje kohe. Por unë e kam me kolegët e mi që janë njerëz të nderuar, të cilët ti del aty dhe thua SPAK është një organizatë kriminale, dilni me këtë gjuhë. Supozoheni se jeni shpresa e shqiptarëve për ndryshim në Shqipëri. Ku doni ta çoni këtë karrocë që e quani e djathta shqiptare.

Top Channel