Skandali i spiunazhit trondit Maqedoninë e Veriut, opozita akuzon zëvendëskryeministrin për lidhje me shërbime sekrete serbe Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë takohen sërish sot në Bruksel për një raund të ri bisedimesh mbi një zgjidhje të situatës së krijuar për dinarin serb.
Përpara takimit që më shumë ngroh ndërmjetësuesin e bllokut, Mirosllav Lajçak sesa vetë palët e përfshira, diplomatë perëndimorë i tërheqin veshin qeverisë së Kosovës duke i kërkuar pezullimin e rregullores që ndalon përdorimin e dinarit. Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi me 01.02, dikton që valuta e vetme e cila mund të përdoret për pagesa kesh në Kosovë të jetë euro, duke ndaluar kështu automatikisht dinarin, lëvizje kjo që shihet me shqetësim nga ndërkombëtarët për shkak të ndikimit negativ tek serbët e Kosovës që marrin ndihma nga Beogradi.
Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien bisedoi përmes telefonit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe diskutimet lidhur me përdorimin e dinarit, duke i kujtuar asaj “rëndësinë e zbatimit të rregullave monetare nga Kosova në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetin pakicë serb, dhe që palët të përmbushin të gjitha zotimet e marra në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian.
Për Kosovën kjo përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Mosthemelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe nga ana e Kosovës “nuk do të shihet si sinjal pozitiv se Kosova dëshiron të lëvizë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që tash është i lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së”, deklaroi më herët edhe zëdhënësi i BE-së Peter Stano, i cili la të kuptohet se “Kosova nuk ka nga lëviz, por duhet të zbatojë urgjentisht detyrimin e hershëm për formimin e Asociacionit, kërkesë kjo e përsëritur disa herë nga Bashkimi Europian në nivelin më të lartë”.
Top Channel